
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve të cilët po protestonin para zyrave të Zyrës Regullatorë të Energjisë (ZRrE) kundër rritjes prej 15 për qind të çmimit të energjisë elektrike.
KMDLNj ka shprehur mbështetje për protestat paqësore, siç ishte ajo e zhvilluar sot, duke kërkuar që këto protesta të përhapen në të gjithë Kosovën për të mbrojtur standardin e qytetarëve, shkruan Insajderi.
Po ashtu, organizata ka bërë thirrje për Policinë e Kosovës që të mos jetë e ndikuar nga politika dhe të mos pengojë protestat paqësore, të cilat janë një nga të drejtat themelore të njeriut.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë efekte zinxhirore, duke rritur çmimet e artikujve dhe shërbimeve të tjera,” thuhet në reagim.
KMDLNj ka apeluar që qytetarët të vazhdojnë të protestojnë, duke theksuar se protestat nuk duhet të kenë ngjyra politike, por të fokusohen vetëm në mbrojtjen e standardit të jetesës. Po ashtu, është kërkuar indeksimi i çmimeve dhe rritja e pagave, pensioneve dhe asistencës sociale si një masë për të përballuar inflacionin.
Në përfundim, KMDLNj ka kërkuar që të hiqet taksa fikse prej 2 eurove për çdo njëhësor dhe ka kërkuar lirimin e të arrestuarve, duke kërkuar arrestimin e “përgjegjësve konkret” brenda ZRrE-së dhe ministrisë përkatëse.
Një protestë tjetër është thirrur për nesër në sheshin “Skënderbeu”, me moton “Asnjë cent më shumë”, pas paralajmërimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë me 15 për qind.