KMDLNj: Listat e fryra të veteranëve janë kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen e Kosovës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    KMDLNj: Listat e fryra të veteranëve janë kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen e Kosovës

    Insajderi
    21 November 2016 - 12:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ka thënë se verifikimi i listave të veteranëve të luftës ishte një proces i stërzgjatur, i ngarkuar me parregullsi dhe për pasojë bëri që Kosova të radhitet si vendet ndër më të militarizuarat në vitet 1997 e deri te përfundimi i verifikimit të listave.

    “Veteranët e luftës që vërtetë ishin veteranë asnjëherë nuk dolën në radhët e para për statusin e tyre por mashtruesit e konvertuar, brenda ditës apo natës në veteranë ishin ata që i bënë listat nga të cilat turpërohet çdo ushtar i UÇK – së, përkrahës i tyre, mbështetës i luftës së UÇK – së apo edhe çdo qytetar që mendon me kokë të vetën dhe që ia donë të mirën këtij vendi”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

    KMDLNj thotë se kjo listë është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës dhe është kërcënim për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Kosovës.

    “Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e përkrahë fuqishëm çdo nismë për rishikimin e këtyre listave që do ta bëjë Qeveria e Kosovës përmes një komisioni tjetër i cili do të bënte verifikimin e listave në mënyrë të paanshme, me profesionalizëm, të mbështetur në fakte pas së cilave do të kishim një listë e cila, vështirë se do ta kalonte numrin e 20.000 veteranëve”, thuhet më tej në komunikatë.

    Sipas KMDLNj-së, po të mos ishin këto lista manipulative dhe korruptive, do të krijoheshin mundësitë që veteranët e dëshmuar duke e fituar statusin e merituar të trajtohen në mënyrë shumë dinjitoze e jo të trajtohen si kategori sociale.

    Për t’u sqaruar gjërat, KMDLNj propozon të merren parasysh praktikat e mira si ato të Kroacisë, ku veteranët trajtohen si vlerë kombëtare, morale dhe shtetërore e jo si kategori sociale.

    “Kemi raste kur “ komandantët “ i kanë futur në lista të gjithë anëtarët e familjes (vëllezër, motra, nipër dhe mbesa, teze dhe halla etj.) Lehtësisht është e identifikueshme nënshkrimi i atij që e rekomandoi dikë për këtë status të pamerituar dhe kjo nënkupton edhe përgjegjësi konkrete”, vazhdon reagimi.

    KMDLNj thotë se nga statusi i veteranit të luftës duhet të përjashtohen ata që dezertuan, ata që nuk morën pjesë aktive (me armë) në luftë dhe ata që e ndihmuan luftën me mjete materiale apo që e fituan statusin e veteranit të luftës duke kënduar e që pastaj këtë këndim e materializuan duke shitur CD apo duke organizuar koncerte para bashkatdhetarëve tanë.

    “Për manipuluesit e listave, përgjegjësia morale është e panjohur si kategori e nderit, prandaj duhet t’u nënshtrohen përgjegjësisë ligjore dhe në këtë drejtim KMDLNj, fuqishëm e përkrahë përpjekjen e kësaj apo qeverisë së ardhshme për normalizimin e listave të veteranëve të luftës që seriozisht po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës duke e rrezikuar edhe vet statusin e veteranëve të vërtetë të luftës së UÇK – së”, përfundon komunikata./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark