
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që serbët e dyshuar për krime luftë duhet të arrestohen dhe jo vetëm të ndalohet hyrja e tyre në Kosovë. Sipas KMDLNj-së, “dëbimi i tyre është ikje nga përgjegjësitë dhe është bërë për kalkulime politike”.
“Kërkesa për ndalimin e hyrjes së tyre në Kosovë është dhurata më e madhe që iu bëhet të dyshuarve serbë për krime lufte në Kosovë. Një vend normal jo që do t’ua ndalonte hyrjen të dyshuarve për krime lufte , siç po e bënë Kosova por do të shfrytëzonte çdo mundësi të ligjshme dhe ilegale që ata të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë”, thuhet në një komunikatë për media të KMDLNj-së.
Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur si persona të padëshirueshëm ditëve të fundit ish-gjeneralit Dikoviq dhe Vojsllav Sheshelin.
“Si mund të flitet për drejtësi dhe si mund të shpaguhen viktimat e shumta civile në Kosovë kur përgjegjësit kryesorë nuk sillen para gjykatave të Kosovës për ta marrë dënimin e merituar që përveç se paraqet lehtësim për viktimat njëkohësisht është masë parandaluese që të mos ketë viktima në të ardhmen”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com