
Ditë më parë është nënshkruar një Memorandum midis ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Roari O’Connell, kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që nënkupton se Ambasada britanike do të financojë kompani të pavarura, e cila do të përzgjedhë listën e ngushtë të kandidatëve, të cilët duhet rekrutuar nga vendorët në institucionet e pavarura në mënyrë që të ndalet punësimi në baza partiake dhe të bëhet departizimi dhe depolitizimi i këtyre institucioneve.
Por kjo nuk i ka bërë përshtypje Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)
“Nuk është se ndërkombëtarët nuk kanë qenë të informuar për nepotizmin gjithëpërfshirës partiak dhe politik gjatë zgjedhjes së anëtarëve të bordeve dhe agjencioneve të pavarura, mirëpo për shkak të oportunitetit politik kanë heshtur që ka qenë një sinjal që këto punësime mund të vazhdojnë. Koalicioni LDK – PDK që u bë me pajtimin dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, në marrëveshje ka një pikë të veçantë që nënkupton se partnerët e koalicionit i ndajnë bordet dhe emërimet e tjera të larta në proporcion 50:50%. Ndërkohë ndërkombëtarët nuk kanë reaguar fare për këto marrëveshje politike sepse i kanë pasur interesat e tyre”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]
KMDLNj thotë se “nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të Trojkës nuk do të ndikojë në zhbërjen e nepotizmit partiak dhe politik sepse të gjitha bizneset e mëdha 100 milionë eurosh janë bërë në bazë të marrëveshjeve nepotiste të interesit midis ndërkombëtarëve dhe vendorëve ku kanë qenë të përfshirë disa ambasadorë, drejtues të lartë të administratës ndërkombëtare, udhëheqës ndërkombëtarë dhe vendorë të ndërmarrjeve të mëdha fitimprurëse, gjyqtarë, prokurorë dhe të tjerë”.
Ajo konsideron se “problemet e grumbulluara për thuaja dy dekada nuk mund të eliminohen me një marrëveshje e cila, në fakt e përligj ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në vendimmarrje duke e rikthyer nëpër dyer të vogla protektoratin ndërkombëtar në vendimmarrje”.
Vlerësimi i KMDLNj-së është se “kjo dukuri mund të luftohet vetëm me forcimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit e jo me marrëveshje, memorandume apo strategji të cilat shumë shpesh bëhen për ta faturuar problemin e madh ekzistues siç është nepotizmi partiak apo politik si mënyrë e kontrollimit të institucioneve të pavarura dhe agjencioneve të pavarura”.
“Shteti i së drejtës dhe zbatimi i ligjit janë garantuesit kryesorë dhe vetëm për luftimin e nepotizmit partiak dhe politik”, thuhet në fund të reagimit të KMDLNj-së./Insajderi.com