
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që të ndërtohet një spital në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Kjo kërkesë e KMDLNj-së erdhi pas vdekjes në spitalin e Pejës të të burgosurit Tasim Zhuniqi i cili po e vuante dënimin në Dubravë.
“Sipas KMDLNj-së, i dënuari i ndjerë Zhuniqi ishte dërguar me urgjencë në S.R. në Pejë nga Njësia Ambulantore e Q.K. të Dubravë ku trajtohej në kuadër të mundësive profesionale e që, sipas KMDLNj-së, ishin dhe janë të pamjaftueshme për trajtim të rasteve të rënda.”
“KMDLNj edhe më herët ka theksuar se pa ndërtimin e një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pa investim në infrastrukturë profesionale duke ofruar stimulim shtesë për profesionistët shëndetësorë që do të punonin në këtë spital, nuk do të ketë përmirësim të trajtimit të shëndetit për personat e privuar nga liria përkundër angazhimit maksimal të Shërbimit shëndetësor të burgjeve. Transporti i të burgosurve për trajtim, sidomos të rasteve me rrezikshmëri të lartë paraqet problem të madh. Mungesa e kapacitetit pranues në institucionet shëndetësore publike është sfidë e madhe për SHKK dhe SHSHB, e para në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kurse e dyta e Ministrisë së Shëndetësisë.”
“Për KMDLNj paraqet brengë të veçantë pandjeshmëria e gjykatave edhe për rastet me sëmundje të pashërueshme duke refuzuar thuaja çdo kërkesë të argumentuar nga Shërbimi Spitalor i Burgjeve për ndërprerje të dënimit”, thuhet në reagimin e saj.