×
  • Lajme
  • Lajme

    KMShK mori vendim për 10 ankesa

    Insajderi
    01 November 2024 - 11:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 10 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen dy nga to, pesë të refuzohen, një të shpallet e paafatshme dhe dy të shtyhen për mbledhjen tjetër.

    Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç janë Kapitulli II – Raportimi i së vërtetës, Kapitulli III – Nxitja dhe gjuha e urrejtjes, Kapitulli IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitulli V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale dhe Kapitulli VII – Privatësia dhe mborjtja e burimeve.

    KMShK ka miratuar ankesën e Pajazit Jasharit kundër Arbresh.info për shkrimin “Ekskluzive: Lëvizja e Deçanit financohet nga BIA serbe”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II, III, IV dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

    Po ashtu, KMShK ka miratuar ankesën e Leutrim Sahitit kundër Jepize.com, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i kodit.

    Ankesa e Dren Pacës kundër Insajderi.org për shkrimin “Shteti bën raport për ish avokatin e Byrosë, transaksione të dyshimta me vlera të mëdha të pronave” është hedhur poshtë, pasi që KMShK nuk ka gjetur prova se media ka shkelur kodin e etikës, përkatësisht Kapitullin II që ka të bëjë me raportimin e të vërtetës.

    KMShK ka refuzuar edhe ankesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kundër Insajderi.org për shkrimin “Denoncimi për dallavere në Universitetin e Pejës, zbarkojnë auditorët e MASHT”, duke konstatuar se media nuk ka bërë shkelje të kapitujve II dhe IV të kodit.

    Janë refuzuar edhe dy ankesa të Venhar Hanës kundër Insajderi.org për shkrimet “Shteti bën raport për ish-avokatin e Byrosë, transaksione të dyshimta me vlera të mëdha të pronave” dhe “Reagim i avokatit Venhar Hana dhe sqarim i Gazetës Insajderi”, si dhe “Raportimi i Insajderit: AKP kërkon hetim të plot për pronën që dyshohet se e tjetërsoi avokati Venhar Hana”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe V të kodit.

    KMSHK e ka refuzuar edhe ankesën e Hyrije Ramës kundër Nacionale.com lidhur me raportimin me titull “Pacienti bleu vetë kabllon elektrike për dializë, kryeinfermierja: E ka ble për shpirt t’vetin”.

    Ankesa e Ganimete Qeriqit kundër Radiokosovaelire.com për shkrimin “Ahmet Qeriqi: Disa mosmarrëveshje me veprimtarët e Degës së SHHB Nëna Tereze në Shalë” është shpallur e paafatshme.

    Ankesa e Taulant Hodaj dhe Hodaj&Partners Sh.P.K. kundër Albanianpost.com për shkrimet “Agim Ademi ia ndau sekretarit të vet 56 mijë euro” dhe “Ekskluzive: Agim Ademi i paguan të gjithë”, si dhe ankesa e Medi Premium Sh.P.K. kundër Jepize.com dhe Veriu.info lidhur me shkrimin “Ankohet punëtori i ndërtimtarisë që është edhe kryefamiljar: Punova tek “Medi Premium”, në fund të muajit nuk më pagoi” janë shtyrë për shqyrtim në mbledhjen e radhës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark