KMShK mori vendim për 11 ankesa – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    KMShK mori vendim për 11 ankesa

    Insajderi
    31 January 2025 - 12:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 11 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen gjashtë nga to, një ankesë të miratohet pjesërisht, dy ankesa të refuzohen dhe dy të shpallen të paaftshme.

    Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç janë Kapitulli II – Raportimi i së vërtetës, Kapitulli IV – E drejta për t’u përgjigjur dhe Kapitulli V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale.

    KMShK ka miratuar ankesat e Isuf Zejnës kundër Demokracia.com, Paparaci.com dhe Periskopi.com për shkrimet “Qemajl Aliu, kryetari që shpërbleu avokatin e Nagip Krasniqit me post e me tender”, përkatësisht “Isuf Zejna i përfshirë në skandalin milionësh të KEK-ut përfitoi edhe nga Komuna e Shtimes”, përkatësisht “Tenderi i dyshimtë për avokatin Isuf Zejna, Nagip Krasniqi e implikon profesorin e UP-së”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Kapitulli II ka të bëjë me raportimin e të vërtetës, ndërkaq Kapitulli IV me të drejtën për t’u përgjigjur.

    KMShK ka miratuar ankesën e Arian Hashanit kundër Gazetademos.com për shkrimin “Zyrtari policor, Arian Hashani, fyen rëndë Ramush Haradinajn, e quan budallë”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin II dhe Kapitullin IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. KMShK ka miratuar ankesën e Arben Krasniqit kundër Prishtinapress.org për shkrimin “Lajm i fundit: Dy zyrtarët e rëndësishëm nga Kuvendi Komunal në Prizren nga radhët e VV-së, z. Arben Krasniqi dhe z. Shqipron Krasniqi mbështesin kandidatin e PDK-së, z. Fetah Paçarizi”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

    KMShK ka miratuar ankesën e Shqipron Krasniqit kundër Prishtinapress.org për shkrimin “Lajm i fundit: Dy zyrtarët e rëndësishëm nga Kuvendi Komunal në Prizren nga radhët e VV-së, z. Arben Krasniqi dhe z. Shqipron Krasniqi mbështesin kandidatin e PDK-së, z. Fetah Paçarizi”, duke konstatuar se bie ndesh me Kapitullin II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

    KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Iljasa Fazliut kundër Nacionale.com, përfaqësuar nga avokati Emin Zariqi, për shkrimin dhe videon me titull “Skandali në IPFK, kërkohet largimi nga puna i Iljasa Fazliut dhe psikiatërve”, duke konstatuar se bien ndesh me kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, por jo edhe Kapitullin V të kodit, siç pretendon ankuesi.

    KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Ekrem Llukës, përfaqësuar nga avokatja Vjosa Shkodra, kundër Veriu.info për shkrimin dhe videon me titull “Akuzohet se mashtroi bizneset e duhanit me rreth 2 milionë euro, Mehmeti: jam viktimë e Xhevdet Bajramit, Ekrem Llukës e Valon Dobroshit”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon ankuesi.

    KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Leutrim Sahitit kundër Indeksonline.net për shkrimin “Eskalon Donika Gërvalla një orë pasi u largua nga degët më të mëdha të Listës Guxo”, duke konstatuar se nuk bie ndesh me kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon ankuesi.

    KMShK e ka shpallur të paafatshme ankesën e Fitore Pacollit, përfaqësuar nga avokatja Lendita Keqekolla, kundër Nacionale.com, për disa shkrime. Bazuar në rregullat e procedurës, KMShK nuk ka mundur ta trajtojë ankesën, pasi që është e paafatshme.

    KMShK e ka shpallur të paafatshme ankesën e Avicena ShPK, përfaqësuar nga avokati Arianit Koci, kundër Sinjali.com, për disa shktrime. Bazuar në rregullat e procedurës, KMShK nuk ka mundur ta trajtojë ankesën, pasi që është e paafatshme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark