×
  • Lajme
  • Lajme

    Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në Prizren

    Insajderi
    22 November 2024 - 10:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë, V.C., që ndodhi më 3 janar 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren.

    Të akuzuarit kishin bërë të njëjtin deklarim edhe në seancën e parë gjyqësore më 7 mars 2024.

    Aktualisht, seanca vazhdon me fjalët hyrëse të palëve të përfshira.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngriti aktakuzën kundër të akuzuarve më 20 shkurt 2024. Sipas aktakuzës, Dibran Hoxhaj akuzohet për vrasjen e V.C., duke e qëlluar me armë pas një mosmarrëveshjeje mbi faturën në lokal. Incidenti ndodhi pas një zënke mes të dëmtuarve dhe punonjësve të lokalit, dhe përfshinte një përpjekje të të dëmtuarve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

    Aktakuza detajon se Hoxhaj, pas ngjarjes, kishte mbërritur në lokal dhe kishte shtënë mbi të dëmtuarit, duke e plagosur njëri prej tyre, dhe më pas e vrau V.C. me disa plumba. V.C. ndërroi jetë gjatë transportimit në spital.

    Përveç akuzës për vrasje të rëndë, Hoxhaj akuzohet edhe për mbajtje armësh pa leje, pasi thuhet se ai mbante dy armë në lokal. Të tjerët, Susuri, Mazreku dhe Badalli, përballen me akuzat për fshehjen e provave dhe pjesëmarrje në rrahje, ndërsa Susuri dhe Badalli akuzohen gjithashtu për mbajtje të paautorizuar armësh.

    Rasti është ende në proces të shqyrtimit dhe pritet të vazhdojë në ditët në vijim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark