Bashkimi Evropian ka marrë në dijeni vendimin e Parlamentit të Kosovës në lidhje me Trepçën si dhe qëndrimin e qeverisë së Serbisë në lidhje më këtë çështje, ka konifrmuar Maja Kocijanciq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane Frederika Mogherinit.
“BE inkurajon të gjithë përfaqësuesit politik të Kosovës, nga partitë politikë të shumicës ashtu edhe të pakicës, që të mbesin të angazhuar në dialogun politik, në lidhje me këtë çështje aq të rëndësishme për Kosovën”, ka deklaruar Maja Kocijanciq.
Sipas diplomatëve evropia,n pikërisht në këtë apel mund të identifikohet qëndrimi i Brukselit në lidhje me Trepçën.
“Porosia jonë do duhej të kuptohet se Trepça është çështje e brendshme e Kosovës dhe se në lidhje me këtë çështje kosovare duhet të merren vesh shqiptarët dhe serbët e Kosovës”, ka shpjeguar një burim evropian i kyçur në këtë problematike, njofton televizioni publik i Kosovës.
Ndryshe duke iu referuar reagimeve të politikanëve Kosovar gjatë ditëve të fundit në lidhje me Trepçën, zyrtarët evropian janë të vetëdijshëm se janë të vogla gjasat që kjo çështje të përfshihet në temat e bisedave në dialogun për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, zyrtarë evropian tërheqin vërejtjen se Brukseli në këtë proces ka rolin e lehtësuesit e jo ndërmjetësuesit andaj edhe për temat që duhet të diskutohen pajtohen palët e Brukseli vetëm ndihmon.
Në këtë rrafsh edhe zëdhënësja Maja Kocijanciq porositë se është e domosdoshme që Prishtina dhe Beogradi të japin pëlqimin që çështja e Trepçës sikurse secila çështje tjetër, të përfshihet në agjendë të bisedimeve.