Kodi Civil rikthehet në Kuvend, Bashkimi Evropian e 'detyron' miratimin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    Kodi Civil rikthehet në Kuvend, Bashkimi Evropian e ‘detyron’ miratimin

    Insajderi
    29 April 2022 - 17:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar që shumë shpejtë do të dërgojnë për votim në Kuvendin e Kosovë draftin e Kodit Civil. Ajo ka thënë se ky është një dokument i rëndësishëm për miratimin e të cilit duhet të bashkëpunojnë pozita dhe opozita.

    Haxhiu është deklaruar pas takimit me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i cili ka thënë se do të jetë përgjegjësi e qeverisë dhe deputetëve krijimi i Kodit Civil dhe sigurimi i zbatimit të tij.

    Pas përfundimit të projektit të Bashkimit Evropian për mbështetjen e Kodit Civil, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka deklaruar se është e rëndësishme që drafti të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

    Szunyog: Drafti i Kodit Civil duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës

    “Tani para nesh e kemi një draft por ajo që është e rëndësishëm është të sigurohemi që ky draft do të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Do të jetë përgjegjësi e qeverisë dhe Kuvendit që të përfundojnë krijimin e Kodit Civil dhe të sigurojnë zbatimin e tij dhe suksesin e përgjithshëm”, ka thënë Szunyog.

    Sipas tij, ky draft do të modernizonte shoqërinë e Kosovës në përputhje me standardet evropiane.

    Szunyog ka thënë se disa nga përftimet që sjell drafti i Kodit Civil është sigurimi i barazisë së grave në të drejtat familjare, të drejtat e fëmijëve dhe rregullimi i çështjes së martesave të gjinisë së njëjtë.

    E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se draftin do ta procedojnë për në Kuvend pa vonesa.

    Haxhiu: Planifikojmë që shumë shpejtë ta procedojmë në Kuvend draftin e Kodit Civil

    “Pas përmbylljes së projektit ne do të vazhdojmë pastaj me bashkëpunimin tjetër për draftin e kodit të procedurës civile. Mirëpo më lejoni t’ju njoftoj që ne si Ministri e Drejtësisë planifikojmë që shumë shpejtë, pa vonesa, draftin e Kodit Civil, që është një dokument shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, ta procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

    Ajo ka thënë se drafti është në linjë me standardet evropianë derisa ka shtuar që i njëjtë duhet të miratohet.

    Haxhiu: Duhet të bashkëpunojmë për ta shtyrë përpara kodin civil

    “Edhe ambasadori Szunyog e përmendi rëndësinë që ka Kodi Civil në kuptimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, standardeve ndërkombëtare sepse drafti i Kodit Civil është në linjë me këto standarde prandaj duke qenë kështu edhe qeveria, edhe mazhoranca, edhe opozita e kemi obligim të bashkëpunojmë dhe të kemi një konsensus për ta shtyrë përpara”, ka thënë ajo.

    Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë në parim Kodin Civil, dokument ky i cili nuk e ka marrë përkrahjen as të deputetëve të pozitës. Kundërshtimet dhe debati është zhvilluar për shkak të mospajtimeve për një pjesë të këtij kodi që synon të rregullojë martesat e personave të gjinisë së njëjtë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark