Pikërisht 5 vite më parë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi kampusin e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), ku u prit nga rektori e u takua me studentë.
Por, jo gjithçka shkoi mirë në atë takim, krejt kjo pasi Thaçit atëkohë iu adresua një pyetje rreth rastit “Pronto” nga studentja dhe aktivistja e VV-së, Diellza Arifi, e cila më pas u nxorë edhe nga salla.
Në një situatë pothuajse të njëjtë u gjend edhe aktivisti, Korab Muhadri të cilit pretendohet se nuk iu dha mundësia as edhe të fliste dhe i njëjti u kërcënua nga zyrtarë policor.
E heshtur nuk mbeti opozita, pasi të njëjtit reaguan përmes një komunikate për media duke e shpjeguar sjelljen e zyrtarëve policor gjatë këtij takimi.
“Studentja Diellza Arifi është nxjerrë dhunshëm nga salla ku po mbahej ligjërata, pasi që kishte pyetur Thaçin në lidhje me klanin “Pronto”, e më pas është futur një dhomë dhe ndaj saj është ushtruar presion psiqik. Kurse, studentit Korab Muhadri, nuk i është dhënë në asnjë moment fjala, përkundër insistimit të vazhdueshëm të tij. Përveç kësaj, për shkak të protestës nga ana e studentit Muhadri për faktin që nuk iu dha fjala, katër policë me veturën zyrtare të eskortës së Thaçit, me targat 156-01, e kanë kidnapuar atë në rrugë, duke e futur në veturë, që më pas ta kërcënojnë e ta rrahin, si dhe ta porosisin që asnjëherë të mos ngreh zërin ndaj Thaçit. Tre nga këta policë ishin Arben Bytyqi, Arsim Jashanica dhe Arsim Rashica, të cilët e kanë kërcënuar studentin Muhadri edhe me jetë”, thuhej në reagimin e VV-së.
Ndërkaq, me të njëjtin institucion në periudhën kur në krye të shtetit qëndron VV-ja, po nënshkruhen një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim, madje shumë anëtare nga kabineti i Kurtit edhe janë të punësuar në këtë kolegj ku pagat janë jo të ulëta.
Gazeta Insajderi ka raportuar për ‘fillesat’ e kësaj miqësie që ministri i Kurtit, Liburn Aliu ka me UBT-në. Gjithashtu, edhe për marrëveshjet që janë nënshkruar dy ditët e fundit mes qeverisë dhe kolegjit në fjalë ku përfshihen shkëmbime, konferenca e seminare.