×
  • Lajme
  • Op-Ed
  • Lajme

    Kohë vendimesh

    Insajderi
    07 September 2022 - 16:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Blerim Shala

    Nuk ka pasë më shumë ‘trafik diplomatik’ në raportet Kosovë – Serbi dhe në dialogun në mes të autoriteteve më të larta të këtyre dy shteteve, që prej viteve 2006, 2007, kur në Procesin e Vienës, të udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari, u definua statusi i Kosovës.

    Ky fakt zatën u konfirmua këto ditë edhe me Letrën të cilën Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ia dërguan Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit.

    Në këtë Letër u gjetën të gjitha formulimet që priten në këtë rast, apo, në këtë formë të komunikimit publik diplomatik.

    Sërish u potencua rëndësia e arritjes së Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është thelbësore për Ballkanin Perëndimor.

    Scholz dhe Macron e ndërlidhën arritjen e kësaj Marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë me ‘kohën vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor’.

    Kryeministri gjerman dhe Presidenti francez, në anën tjetër, u kanë bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë për të treguar lidership në procesin e dialogut.

    Letra e Scholzit dhe Macronit, e ka edhe atë dimensionin i cili nuk del nga përmbajtja e saj: Pa Berlinin dhe Parisin nuk mund të ketë përfundim të suksesshëm të dialogut të Brukselit dhe Marrëveshje të mirëfilltë në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

    Scholz dhe Macron në letrën e tyre kanë bërë të ditur edhe që kanë caktuar dy këshilltarët e tyre që t’i ndihmojnë drejtpërdrejtë Miroslav Lajçakut, Emisarit Special për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor.

    Me këto emërimet e fundit, janë bërë gjithsejt gjashtë politikanë dhe diplomat perëndimor të cilët merren me dialogun e Brukselit dhe përpiqen të luajnë rol lehtësues  (dhe ndërmjetësues), në bisedimet në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit.

    Kemi EUSR-në  (Emisarin Special), Miroslav Lajçakun, Gabriel Escobar-in, diplomatin amerikan që ka mandatin e Emisarit Special për Ballkanin Perëndimor, kemi dy të Emisar Special të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për dialog, dhe tani, me këtë Letrën e Scholzit dhe Macronit, kemi edhe dy këshilltarë të tyre të inkuadruar në këtë ndërmarrje të përbashkët. Për më shumë, të emëruarit e ri të Scholzit dhe Macronit do ta shoqërojnë Lajčakun në vizitën e tij të re në Prishtinë dhe në Beograd, këtë të premte  (me 9 shtator).

    Shumësia e diplomatëve perëndimor të angazhuar në rastin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk sjell dilema kur bëhet fjalë për qëllimin apo cakun e angazhimit të tyre, apo, edhe për qasjen e cila duhet të përdoret në këtë ndërmarrje të një rëndësie të veçantë, edhe për shkak të zhvillimeve të këtij viti në Ukrainë, në vijim të agresionit të Rusisë.

    Washingtoni, Brukseli, Berlini, Parisi dhe Londra janë me një mendim për epilogun që duhet ta kenë bisedimet e Brukselit. Të gjithë e dinë që thelbi i Marrëveshjes Ligjësisht Detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke.

    Në anën tjetër, shumësia e këtyre diplomatëve dhe zyrtarëve perëndimor që merren me Kosovën, nuk bëhet në dëm apo në mëdyshje të mandatit që ka Miroslav Lajçak si Emisar Special. Por vet Lajçak e di që pa pëkrahjen e Washingtonit, Berlinit, Parisit dhe Londrës, ai nuk mund t’ia arrijë qëllimit.

    Në anën tjetër, ky bashkim i përpjekjeve ndërkombëtare për t’ia dhënë një dinamikë tjetër dialogut të Brukselit, dhe për ta shtyrë para arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka një peshë specifike, sepse koordinimi në mes këtyre pesë kryeqendrave është i domosdoshëm për një epilog të suksesshëm të këtij dialogu.

    Secila prej këtyre qendrave e ka rolin e vet, apo, thënë ndryshe, hisen e vet në suksesin e dialogut të Brukselit.

    Pa Washingtonin dhe Aleancën Veri-Atlantike, nuk mund të ketë garanca të sigurisë për Kosovën dhe rajonin.

    Në anën tjetër, Parisi dhe Berlini janë vendimtar kur bëhet fjalë për qartësimin e politikës së zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa ky qartësim është kusht pa të cilin nuk bën nëse njëmend synohet që bisedimet e Brukselit të kenë sukses.

    Scholz dhe Macron ne letrën e tyre dërguar Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq, me të drejtë flasin për vendimet të cilat i presin liderët e dy shteteve. Por, nuk ka kurfarë dyshimi që edhe Scholz dhe Macron duhet të marrin vendime të mëdha për të ardhmen e kësaj pjese të Evropës.

    *Shkrimi fillimisht është publikuar në klankosova.tv

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark