×
  • Lajme
  • Lajme

    “Koka e këtij korrupsioni është vetë Kurti, në të kundërtën do t’i shkarkonte këta të korruptuar”

    Insajderi
    03 November 2024 - 08:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partia në pushtet është akuzuar nga PDK-ja dhe LDK-ja për keqpërdorime dhe afera korruptive. Theks të veçantë i kanë dhënë gjendjes në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë për Ekonomia Online se aferat e skandalet e kanë përcjellë katërvjeçarin e kësaj Qeverie. Ka thënë se vetëm për dy vite, 106 milionë euro kanë qenë vlerat e kontratave njëburimore në KEK.

    “Nëse e shohim prej kësaj perspektivë të Kuvendit, pra si deputetë ky është numri më i madh i seancave të jashtëzakonshme dhe debateve parlamentare të cilat i kemi thirr pikërisht për keqpërdorime që kanë ndodhur në dikastere ministrore të Republikës së Kosovës, numri i keqpërdorimeve dhe numri i aferave duket të jetë jashtëzakonisht i madh, prej çështjet se ambalazhuesve të ujit, ku është një mega skandal dhe një aferë jashtëzakonisht e madhe. Flasim për kontratat një burimore mjafton me pa vetëm Korporatën Energjetike të Kosovës, ku e sheh që për dy vite kanë bërë kontrata një burimore rreth 106 milionë eurove”, ka thënë Tahiri, teksa përmend dy dikastere me numrin e madh të kontratave njëburimore. Ka thënë se çmimi i këtyre kontratave negociohet në tavolinë dhe përjashtohet ligji i prokurimit.

    “Kjo nuk ka ndodhur më herët në historinë e Republikës së Kosovës, dhe nuk guxon të përsëritet ndërsa kur e sheh qoftë Infrastrukturën apo Ministrinë e Kulturës që numrin e kontratave një burimore që për qytetarët me pasur qartësi janë kontratat të cilat negociohen në tavolinë dhe është çmim që i vendoset në tavolinë, çmimi duhet të vendoset si rezultat i një konkurueshmërie, këtu nuk flasin për diçka të tillë, mirëpo flasin për vendosjen e çmimeve në tavolinë. Pa dyshim që kontrata të tilla në vete ngërthejnë skandale korruptive sepse ato janë të kundërligjshme sepse ligji e cakton qartë se kur duhet të jetë një kontratë një burimore apo kur duhet të jetë një kontratë sekrete ku përjashtohet ligji i prokurimit”, ka thënë tutje Tahiri.

    Shefi i deputetëve të PDK-së ka thënë se kanë thirrur disa herë seancë të jashtëzakonshme për këto keqpërdorime.

    Krahas kontratave njëburimore, Tahiri ka thënë se kanë thirrur disa herë seancë edhe për siç i quan skandale tjera. Përmend çështjen e rezervave shtetërore dhe ushqimin në FSK. Shpreh bindjen në qeverisjen e ardhshme, kryeministër do të jetë kandidati i tyre, Bedri Hamza.

    “Muajt e fundit kemi ftuar katër seanca të jashtëzakonshme për keqpërdorime duke filluar nga ushtria e Kosovës, çështjen e rezervave shtetërore, aferat janë të mëdha, këtu vetëm një gjë është pozitive që jemi në prag të zgjedhjeve, dhe në mandatin e ardhshëm do të kemi një Qeveri të re që do të jetë kryeministri i ardhshëm Bedri Hamza. Numri i kontratave sekrete dhe një burimore tregon diçka të tillë, pra në anën tjetër ne po shohim pak punë, cili është progresi në arsim, në infrastrukturë, a janë shpenzuar mjete një burimore për me rregulluar spitalet tona. Ne nuk po shohim rregullim a janë shpenzuar mjete burimore për të rregulluar gjendjen e arsimit tonë. Janë diku 14 miliardë euro të shpenzuar për këtë mandat qeverisës të kësaj Qeverisë”, u shpreh Tahiri.

    E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, jo që nuk i shkarkon zyrtarët qeveritar të korruptuar por edhe i mbron ata.  

    Sipas tij, fakti që nuk shkarkohen tregon bashkëpunimin e kryeministrit Albin Kurti me zyrtarët e akuzuar për korrupsion.

    “Kjo parti ka 15 vite që kur ishte në opozitë tentonte që të bindte qytetarët e Kosovës që të gjitha qeveritë para tyre ishin të korruptuar dhe kriminel e deri tek tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë, mirëpo në këto katër vite që ishin në pushtet të vetëm, kanë treguar që janë totalisht të korruptuar. Është e paimagjinueshme që një parti e cila menaxhohet ngushtë nga një njeri i vetëm nga Kurti kaq shumë ministra të jenë të korruptuar dhe Kurti të mos jetë i vetëdijshëm. Vetë fakti që asnjëri nga ministrat nuk ka tentuar që ta shkarkojë por në fakt secili prej tyre dhe ambasadorët si Berishaj dhe secilin funksionuar të kësaj partie e cila është duke u hetuar për korrupsion, Kurti ka dalë dhe e ka mbrojtur se beson në pafajësinë e tyre”, u shpreh Mustafa, duke thënë se “koka e korrupsionit” është vetë kryeministri Albin Kurti.

    “Është e qartë që koka e këtij korrupsioni është vetë Kurti, në të kundërtën nuk do t’i mbronte këta të korruptuar dhe do t’i shkarkonte. Fakti që i mbron do të thotë që është i njoftuar dhe është në bashkëpunim dhe në koordinim ose në monitorim ose nën urdhrin e vet zotrit Kurti bëhet i gjithë ky korrupsion në Qeverinë e tij në këto katër vitet e fundit. Shihet qartazi në ato incizime që Kusari-Lila nuk i ka mohuar shihet qartazi që Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka qenë vazhdimisht në koordinim me Listën Serbe për ligjet më vitale të këtij vendi, kanë tentuar të bëjnë një lojë kinse po koordinohet për Ligjin për Pagën Minimale, por ajo ka prekur drejtpërdrejtë të gjithë veteranët e luftës, dhe njëkohësisht sa herë që Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si jo kushtetuese veprimet e ligjet e kësaj Qeverie ata e kanë sulmuar si gjykatë të kapur”, ka deklaruar Mustafa.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark