Gjykata Speciale në Hagë e shpalli fajtor Salih Mustafën, i njohur si komandant Cali, duke e dënuar me burgim për akuzat torturë si krim lufte, ndalim arbitrar dhe vrasje e paligjshme. Në total ai është dënuar me 26 vjet burgim, shkruan Insajderi.
Mustafa është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim luftë. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme”.
“Trupi gjykues ju dënon me dënim të njësuar me 26 vjet burgim në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, tha kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia.
Prokuroria e specializuar e akuzonte Salih Mustafën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht se ai ka nxitur ose urdhëruar akte kriminale të privimit arbitrar nga liria, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.
“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuar për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.
Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.
“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.
Më herët, pranë këtij institucioni janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.
Për çfarë akuzohej Mustafa?
Gjykimi i Salih Mustafës ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe ky është gjykimi i parë për krime lufte që ka nisur në Dhomat e Specializuara.
Mustafa u arrestua në 24 shtator të vitit 2020 dhe është personi i parë i arrestuar kundër të cilit u konfirmua aktakuza, prej që janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar, në vitin 2015.
Pretendohet se Salih Mustafa, i njohur gjithashtu si komandant Cali, ishte komandant i njësisë guerile Agjencia për siguri dhe informacion, e cila i përkiste zonës operative të Llapit të UÇK-së.
Kjo njësi, në përbërjen e saj, kishte afërsisht 500-600 trupa, të cilat vepronin kryesisht në zonat e qytetit në Prishtinë dhe Obiliq, në rrethinat e tyre, si dhe në zonën e Gollakut, ku ndodhet fshati Zllash.
Gjithashtu, thuhet se veprat penale, për të cilat janë paraqitur akuzat, kanë ndodhur në kontekstin e “konfliktit të armatosur” dhe kanë qenë të ndërlidhura me konfliktin e armatosur në Kosovë, ndërmjet UÇK-së dhe forcave të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ) dhe Republikës së Serbisë, “përfshirë edhe njësitë e Ushtrisë së Jugosllavisë, njësitë e policisë dhe njësitë tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe grupeve tjera që luftonin në anën e RFJ-së dhe Serbisë”.
Më tej, thuhet se në periudhën nga 1 prilli 1999 deri më 19 prill 1999, Salih Mustafa dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së kanë mbajtur të mbyllur në një pronë në Zllash, të paktën gjashtë persona.
Gjithashtu, thuhet se gjatë prillit të vitit 1999, në atë vend, është vrarë një i burgosur.
Ndër të tjera, shtohet se Mustafa “së bashku me anëtarët e tjerë të UÇK-së”, e morën një person për ta marrë në pyetje, identiteti i të cilit ishte i fshehur, “dhe urdhëroi që ta rrihnin”. Siç thuhet në aktakuzë, derisa po e rrihnin me mjete të ndryshme të forta, atij personi iu tha se është “spiun dhe se do ta vrisnin”.
Zyra e Prokurorit të Specializua të Kosovës në Hagë po heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000. /Gazeta Insajderi