Komandanti i KFOR-it: S’është koha të hapet ura mbi Ibër, rrezikohen ushtarët dhe qytetarët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Komandanti i KFOR-it: S’është koha të hapet ura mbi Ibër, rrezikohen ushtarët dhe qytetarët

    Insajderi
    04 January 2025 - 20:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Enrico Barduani, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit në këtë kohë do të rrezikonte jetën e ushtarëve të misionit që ai e drejton.

    Në një intervistë për “Kosovo Onllajn”, ai tha se vendimi për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.

    “Sa i përket urës në lumin Ibër, qëndrimi i NATO-s dhe KFOR-it ishte i qartë, transparent dhe konsistent. Për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, hapja e urës në këtë kohë do t’i ekspozonte ushtarët e KFOR-it dhe komunitetin lokal ndaj një rreziku të papranueshëm dhe të panevojshëm të dhunës. Vendimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merren përmes dialogut dhe koordinimit në kohë dhe efektiv me bashkësinë ndërkombëtare dhe KFOR-in”, tha ai në këtë intervistë.

    Duke folur për sigurinë, Barduani tha se situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë.

    “Ndonëse nuk do të spekuloj për skenarë të mundshëm në të ardhmen, mund t’ju siguroj se KFOR-i është duke monitoruar vazhdimisht të gjitha ngjarjet që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë dhe më gjerë në rajon. KFOR-i është i pajisur mirë dhe i pozicionuar për të parandaluar përshkallëzimin dhe për t’iu përgjigjur çdo situate të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Prandaj, ne do të vazhdojmë të sigurojmë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, deklaroi komandanti i KFOR-it.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark