Komandanti i misionit ushtarak EUFOR në BeH, gjenerali austriak Aleksandër Placer thotë se nuk sheh “asnjë kërcënim klasik ushtarak” në deklaratat e anëtarit serb të Presidencës së BeH, Milorad Dodik.
Në një deklaratë për të përditshmen e Vjenës Standard, Placer vlerësoi se “situata e sigurisë në BiH është e qëndrueshme”.
Duke komentuar njoftimin se Republika Srpska do të tërhiqet nga Forcat e Armatosura të BiH dhe do të krijojë ushtrinë e saj speciale, Placer thotë se “ushtria e përbashkët nuk bazohet në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.
Ai përkujtoi se sipas Marrëveshjes së Dejtonit ishin tri ushtri në varësi të grupeve etnike dhe se më pas u krijua një ushtri e përbashkët duke u bazuar, siç thotë ai, vullnetin kombëtar.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare vështirë se mund ta pengojë kthimin e më shumë ushtrive, nëse kjo bëhet përmes një procesi normal legjislativ.
Ai theksoi se në rast se ushtria shpërbëhet dhe prej saj dalin dy ushtri, thotë ai, duhet t’i paraprijë një konsensus themelor politik dhe ushtarak.
Nëse, siç thotë ai, nuk ka konsensus politik për një gjë të tillë, atëherë “vlerësimi i situatës së sigurisë do të duhej të ishte krejtësisht ndryshe”.
“Duhet ta shikojmë me kujdes”, tha Placer, duke shtuar se ka vërejtur një tension të caktuar në mesin e popullatës. Ai e interpreton këtë duke thënë se “mediat dhe politikanët e mbajnë popullsinë në një gjendje të vazhdueshme krize”.
Placer vuri në dukje gjithashtu se lloji i pajisjeve të përdorura nga policia në Republika Srpska plotëson standardet ndërkombëtare.
Lidhur me debatin aktual mbi zgjatjen e misionit të EUFOR Altea në Këshillin e Sigurimit, Placer thekson se mandati i EUFOR-it dhe detyrat e tij janë “krejtësisht të ndara nga detyrat civile të Përfaqësuesit të Lartë”.