Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar gjobën prej 171 mijë e 375 eurove si dënim për sjelljen e tifozëve gjatë fazës grupore të ‘Euro 2024’.
Shqipëria është e dyta me gjoba, teksa Kroacia është e para, ndërkaq e treta është Serbia.
Kroacia është gjobitur me 220 mijë e 875 euro, ndërsa Serbia me 116 mijë e 625 sosh.
Shifrat i ka publikuar gazeta e njohur sportive “The Athletic”.
Në total janë 1.2 milionë euro gjoba që i ka shqiptuar UEFA gjatë fazës grupore të Evropianit.
Në arsyetim thuhej se përkrahësit e kombëtareve kanë treguar sjellje të këqija gjatë tri ndeshjeve në grupet respektive.
Tetë kombëtare – Hungaria, Zvicra, Kroacia, Shqipëria, Polonia, Serbia, Rumania dhe Belgjika, janë gjobitur për sjelljen e fansave në fazën grupore.
21 nga 24 shtetet janë gjobitur të paktën një herë ndërsa Franca, Spanja dhe Sllovakia nuk janë gjobitur nga UEFA deri më tani.
Gjobave nuk u ka shpëtuar as Gjermania si organizatore e Evropianit.
Gjermania është gjobitur dy herë për dështimin që të “mbrojë fushën e lojës” – që ka të bëjë me hyrjen e fansave në fushë. Kjo ka ndodhur në ndeshjet e Portugalisë, Turqisë dhe Gjeorgjisë.