Komedia apo mënyra më e çuditshme e përballjes me ligjet e kozmosit - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Komedia apo mënyra më e çuditshme e përballjes me ligjet e kozmosit

    Insajderi
    19 August 2022 - 14:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

     Bota në të cilën veprojnë personazhet e komedive të Milazim Krasniqit –

    Nga: Haqif Mulliqi

    Milazim Krasniqi është dramatist i njohur në dramaturgjinë shqiptare. Është një autor i cili e posedon botën e tij. Është një botë sa e thjeshtë, po aq edhe komplekse. Një botë në të cilën M. Krasniqi i gjen inspirimet e tija. I gjen motivet e veçanta dhe të përgjithshme për të krijuar si dhe zbulon temat duke bërë përpjekje që t’i travestojë mitet, madje edhe ato mite të cilat nuk i përkasin, me çdo kusht një bote të caktuar. Pra botës e cila materializohet përmes të folurit, apo edhe që është materie e vetë të foluri. Pra, të të folurit që është një lloj i faktit i mëvetshëm, apo e folur që është e pranueshme fjalëpërfjalshëm dhe që, njëkohësisht, mund të shndërrohet në një lloj alibie për “diçka fare tjetër”.

    Bota në të cilën veprojnë personazhet e komedive të Milazim Krasniqit, mendojmë se është një botë lehtë e identifikueshme me tema që vijnë nga periferia e shoqërisë me një gërshetim temash dhe motivesh të cilat nëpër komeditë e Krasniqit rrjedhin, të thuash sikurse gjaku nëpër damarët e trupit të njeriut. Kjo ngase, M. Krasniqi e di fare mirë se temat në veprat e tija dramatike, e me theks tek komedia që krijon ky autor, janë, faktikisht, lënda e tregimit apo rrëfimit dramatik në këto vepra. Apo, edhe më thjeshtë, janë ato për të cilat flasin këto vepra dramatike, e që shpijnë tek idetë të cilat e ndriçojnë ndonjë aspekt të përgjithshëm të jetës njerëzore. Pra, të jetës sonë, me ç’rast tema i jep ngjyrimin themeltar (bazik) të tregimit komedive të këtij autori. Ndërsa, temat në komeditë e Krasniqit, pak a shumë janë ato që kanë të bëjnë me identitetin, familjen, moshën, rininë, drejtësinë, luftën politike,, urrejtjen, etj.

    Janë këto tema aktive, të përditshme, të zakonshme, që ndonjëherë japin mundësi që të krijohen edhe më shumë kuptimësi rreth një çështjeje apo rreth një problemi sado që ai apo ajo të duken të veçantë. Në ambiente ku jetojnë njerëz, e ku shtresimet bëhen në marrëdhëniet oponente mes të mirës dhe të keqes, mes urbanes dhe rurales, meshkujve dhe femrave, të resë dhe të vjetrës, e kështu me radhë, me ç’rast, të thuash, tek të gjitha komeditë e Krasniqit hasim kthesa dhe kapërcime të furishme nga një problem në tjetrin. Nga një marrëdhënie në tjetrën, ashtu sikundër dallëndyshja do ta kalonte lumin, nga një breg në tjetrin, me të gjithë ekuivokët që ka gjatë fluturimit. Kjo, ngase periferia urbane, apo politike apo edhe intelektuale në komeditë e M. Krasniqit gjendet jashtë “mureve” (extra muros), si nëpër qytetet mesdhetar, ku muret e larta dhe të pakapërcyeshme e ndanin botën në ata të brendshmit dhe ata të jashtmit.

    Në këtë hapësirë, në veprat e këtij autori, e vëmë re fare qartë se e kaluara mëton të interferoj në të ardhmen, për ta përkufizuar të ardhmen. Dhe, këtu ndodhin përplasjet të cilat, ndonjëherë janë gazmore, ndonjëherë shpotitëse e ndonjëherë thumbuese me ç’rast na bëjnë të qeshemi deri atëherë kur nuk e ndjejmë therjen përcëlluese.

    Në këtë rrafsh, duke pasur parasysh veprat komediografike të autorit Milazim Krasniqi, besoj që në kontaktet e para me të, ne e kuptojmë qartë se ky autor brenda vigjilencës së tij, të gërshetuar edhe me talentin e shkrimtarit të rryer të dramës, e ka parasysh faktin se komedia, në fakt, del të jetë një si lloj fenomeni i cili na e mundëson që të jemi të bëhemi serioz në një mënyrë argëtuese. Fundja, ky autor është i vetëdijshëm për atë se humori s’është, mbase, asgjë tjetër, veçse një prej mënyrave më të veçanta, më zhbiruese e ndonjëherë më të çuditshme që të përballet me ligjet e kozmosit. Dhe, kur të gjitha këto i përbashkojmë, sikur e kuptojmë se komeditë e Milazim Krasniqit, na e bëjnë të ditur se humori dhe komedia, e në ndërlidhje me këtë edhe e qeshura, në esencë, janë gjëra mjaft serioze sikurse edhe vetë temat që trajton në veprën e tij ky autor. Dhe vërtetë, madje edhe vetëm një shikim i përciptë mbi komeditë e M. Krasniqit dëshmon se ky autor komikes dhe të qeshurës i qaset në mënyrë mjaft serioze.

    Kështu, mund të thuhet se Krasniqi, në veprën e tij komediografike përqesh të metat e njerëzve, por edhe dukuritë negative në shoqërinë të cilës i përket (madje edhe më gjerë), ndaj dhe veprat e tija sipas një rregulli që pranohet në një rrafsh shumë të gjerë posedon atë që njihet si orientim racional, por edhe didaktik për grupin të cilin e ka vënë në fokus ta akceptojë dhe ta pranojë si vlerë të veten komedinë e tij.

    Gjithashtu, këto vepra të Milazim Krasniqit, posedojnë edhe disa korniza të forta kohore të fundit të diktaturës komuniste, të periudhës së dekonstruimit të atyre marrëdhënieve politike dhe shoqërore pasojat fatkëqija të të cilës hetohen edhe sot e tërë ditën në mbarë shoqërinë shqiptare. Ja ta themi se si i shestojnë këto probleme personazhet e njërës prej komedive më të mira të këtij autori, Mos më merrni në qafë, e cila në cilindo kontekst tjetër politik, psiko-historik dhe shoqëror do të mund të quhej edhe “Mos më merrni në qafë”:

    ZUKA: E, more shok kryetar! Ne po punojmë pa pushim. E di ç’kemi bërë sot – ia kemi nxjerrë nëntë dredhë në shpinë Zejnullah kullakut.
    LITI: Ia kemi fshirë magjen me krah pule.[1]

    Aspekti zhanror

    Jeta, gati-gati periferike e cila edhe në mënyrë topografike, por edhe sociale ekziston në margjinat e qyteteve dhe ngjarjeve që ndodhin në qytetet e mëdha, të thuash me vite dhe dekada dhe shekuj ishte një lëndë joshëse letrare për krijuesit e ndryshëm. Dhe, as inspirimet e Milazim Karsniqit nuk bëjnë shmangie nga një përvojë e këtillë interesante dhe frymëzuese në të njëjtën kohë. Ndaj dhe ky autor nis me komeditë si “Mos më merrni në qaf딓Zbulimi”“Puna e Sizifit”“Këmba e Titos nuk shkelë në Kosovë”. Madje , me këto komedi, me qasjen serioze që përpiqet ta dëshmojë, madje edhe në ambientet e mbyllura sociale ku grafikojnë personazhet e tija të skicuara mirë dhe saktë, në fakt, sikur është përpjekje e vetë Krasniqit që ta relatvizojë aspektin teorik të zhanreve kur flitet për komedinë si një “zhanër i ultë”, ngase vepra e Krasniqit, është evidente se pretendon të jetë më shumë se sa një literaturë e cila në skenë apo edhe në të lexuar të saj ka për qëllim të na bëjë të qeshemi dhe vetëm të qeshemi. Krasniqi përpiqet që, përmes tezave, metaforave të përgjithshme në këto vepra, elipsave dhe të paralipsave të krijojë dhe të lansoi ide të reja, por edhe të përçojë mesazhe të fuqishme politike, shoqërore e madje-madje edhe shumë të thjeshta njerëzore. “Në rastet ekstreme të instrumentalizimit, arti mund të shfytyrohet, të tradhtojë natyrën e vet, por atëherë nuk është art, shndërrohet në propagandë, në ideologji ose në kiç”, do të shprehet vetë Krasniqi në një intervistë shumë të gjatë dhe shumë interesante të botuar tek revista “Jeta e re”,[2] për të na bërë ta kuptojmë diskursin e tij krijues që na del që ta kuptojmë se, madje edhe vetë komedia, ajo lakonike, hierarkia sociale e së cilës nuk ndryshon në mënyrë të ashpër nga ajo e tragjedisë, ua ka dhënë këtyre banuesve të botëve të margjinalizuara në periferitë e qyteteve të mëdha, të thuash, shumë pak hapësirë, kështu që, të thuash në akëcilën prej këtyre komedive na e lënë përshtypjen se bëhet fjalë për personazhe interesante, por të cilat, të thuash, fare rastësisht gjenden aty ky ndodhë ngjarja.

    Këtu, s’do mend se nuk flasim për personat dytësore, apo edhe ato fre periferike, e që njëherësh janë personazhe me funksionin më të fuqishëm dramatik, nga njëra anë, por që, në esencën e tyre janë “tipa karakteresh” pa shenja dalluese individuale. Në fund të fundit, meqë këtu kemi të bëjmë me një botë njerëzish të cilët e kanë braktisur “natyrën e tyre”, dhe mjedisin e vetë, atëherë, ndoshta, ndonjë shenjë standarde identifikuese e tyre të këtyre personazheve klasike të komedisë, siç i thonë fjalës (me përplot vitalitet, shkathtësi apo edhe distancë ironike karshi personazheve të tjera, por jo edhe ngjarjeve që zhvillohen), atëherë, ndoshta, nëse do të futeshim për t’i matur dhe vlerësuar me metodologjitë më matjes psikanalitike të karaktereve dhe personazheve, atëherë do të mund t’i interpretonim edhe me statuset e ndryshme siç janë: “hafijet e vegjët apo të mëdhenj”, “të huaj” dhe kështu me radhë.[3] Të këtillë, mbase mund të konsiderohen personazhet si: Fshatari I dhe Fshatari II, tek “Mos më merrni në qafë”DemaRrustemi, Zymbyli e ndonjë tjetër, tek “Zbulimi”, apo edhe Skënderi, tek “Puna Sizifit”, dhe kështu me radhë.

    Shi për këto, mund të thuhet se, Milazim Krasniqi, tek komeditë e tija do të qëndrojë, me ndonjë përjashtim të vockël mbi marrëdhëniet tradicionale ndërmjet milet dhe zhanrit, por, duke futur në veprat e tija, një lloj të habitshëm e madje, madje edhe të çuditshëm të distancës në marrëdhëniet ndërmjet temës dhe zhanrit. E, ndoshta mu për këtë, në një mënyrë apo edhe tjetrën, të gjitha komeditë e tija më të hershme (e pjesërisht edhe ato më të vonshmet janë cilësuar si farsa (politike dhe sociale), duke përfshirë këtu edhe komeditë: “Kur lindi partia”, edhe “Mos më merrni në qaf딓Këmba e Titos nuk shkelë në Kosovë” si dhe komedia “Punë Sizifi”. Madje, për vetë këto komedi, Krasniqi shprehet me sa vijon:

    “Kur lindi partia” është një aluzion i qartë në veprën me të njëjtin titull të Enver Hoxhës dhe në trashëgiminë e tij subversive e terroriste. Është një përpunim artistik i doktrinës komuniste të luftës për pushtet dhe të likuidimit të rivalëve, etj. Por, nuk është histori as e partisë e as e Enverit. Edhe komedia “Mos më merrni në qafë” është e kësaj linje të zbulimit dhe të zbërthimit të absurditetit të botëvështrimit komunist mbi botën. Edhe komedia “Këmba e Titos nuk shkel më në Kosovë”, është pjesë e kësaj tematike. Komedia “Punë Sizifi” është një sprovë e tematizimit të një aspekti të jetës sociale të viteve shtatëdhjetë, ndonëse e konsideroj të pasuksesshme”.[4]

    Mirëpo, a thua interpretimi interesant të M. Krasniqit mbi këto katër komeditë e tij (mbase më të suksesshmet që ka krijuar deri më sot) është dhe mund të jetë i mjaftueshëm që ta kuptojmë, apo edhe ta vlerësojmë se këto vepra nuk mundemi, në bazë të përkatësisë zhanror t’i quajmë farsa!? Apo, mbase, me një interpretim të këtillë, dhe me një tendencë për t’i zgjeruar ato në kuadër të temës dhe të llojit të tyre, ky autor ia del që shenjat zhanror të komedive të tija t’i shndërrojë në një lloj lakonikës dramatik – në komedi, duke mos e nënçmuar, mbase, as relevanten e tyre sociale, mendojmë se është një çështje me të cilën do të merren studiues dhe autor të ndryshëm në të ardhmen, aq më tepër nëse kihet parasysh – konteksti kohor kur janë krijuar këto vepra, temat që kanë shtjelluar, por edhe numri i tyre i cikli nuk mund të jetë i mospërfillshëm. Dhe, lidhur me këtë, ja, ta themi se si e fillon pjesën e gjashtë të komedisë së tij “Këmba e Titos nuk shkelë më në Kosovë” ky autor:

    RAMUSHI (Hapë derën ngadalë, hyn përvjedhtas, ende nëpër bodrum duke vëzhguar. Kur i sheh të tjerët, merr frymë thellë, ngre duart lart si për të falënderuar, pas pak merr pozë më krekosëse, disi fitimtare.) A dëgjuat?
    TË GJITHË (Me zë të çakorduar.) Jo.
    RAMUSHI: S’keni pasur si të dëgjoni kur përveç meje s’e di kurrkush.
    TË GJITHË (Me zëra të çakorduar.) E çka ashtu?
    RAMUSHI: Për Titon de.
    TË GJITHË: E çka de?
    TË GJITHË: Mos bre? E pse?
    RAMUSHI: Për shkak tonin.
    XHEMUSHI: Kuku për ne! (Ngrihet i frikësuar dhe shikon nga të ikën).
    RAMUSHI: Mos u frikëso, bre burrë.
    XHEMUSHI (Dridhet) Jo,jo, veç thashë. Ani?[5]

    Apo edhe tek “Kur lindi Partia” tek Pamja e gjashtë e kësaj komedie:

    FILI, MBRETËRESHA
    (Në një stol parku që duket mjaft i shkretë. Rrallë kalon ndonjë njeri pranë tyre. Është natë dhe nën dritën e neonit).
    FILI
    Për ta siguruar plotësisht pushtetin tonë në parti, ne duhet të marrim disa masa mbrojtëse dhe paraprake.
    MBRETËRESHA
    Jam gati të ndihmoj që t’i vemë në zbatim. Unë tashmë i jam përkushtuar partisë dhe kryetarit. (I mbështetet në sup).
    FILI
    E para, duhet ta përfitojmë Pionin. Duhet ta gjejmë ndonjë metodë të përshtatshme dhe efikase. Ti mund ta kryesh atë punë më së miri.
    MBRETËRESHA
    Vetëm më trego si.
    FILI
    Duhet të flesh edhe me të. Ai s’ka përvojë me femra, kështu që do të lidhet emocionalisht për ty e do t’i zbatojë urdhrat e tua pa hezitim.
    MBRETËRESHA
    Por i dashur, unë të përkas ty (E përqafon).
    FILI
    Natyrisht që më përket mua, por në të njëjtën kohë i përket edhe partisë dhe interesave të saj. Ato janë interesa supreme, të cilave duhet t’ua nënshtrojmë sjelljet dhe vullnetet tona. Kështu na mëson historia.
    MBRETËRESHA
    Je kryetar i vërtetë. Sa bukur flet. Domethënë, unë me Pionin… Ai e ka atë hundë që s’mund t’ia shikoj. I djersitet hunda kur flet me mua.
    FILI
    Hunda, s’është edhe ndonjë problem i pakapërcyeshëm. Je kuadër i fortë i partisë sime dhe unë mburrem me ty. (Pas pak kohe) Atë, Torin, do ta kemi problem më të madh, por me të, do të mirrem personalisht. Kam informata të sigurta, se ai është i lidhur me disa shërbime informative të huaja, se është një poliagjent i rrezikshëm.[6]

    Komeditë e Krasniqit dhe dhe lloji i shprehjes së tyre

    Janë pikërisht këto dy shembuj të shkëputur nga vëllimi i plotë i komedive të Milazim Krasniqit e cili liron prej çfarëdo lloji të dyshimit mbi çastin kur një zhanër, të thuash në mënyrë të pahetueshme dhe në të kapërcyer nga një zhanër në tjetrin (si zhanër i mesëm ndoshta), pushon të posedojë korniza të ashpra normative – gjë që është, për ta kujtuar, rast me llojin e madh të një vepre – pra të komedisë, madje edhe atëherë kur një lloj komik, siç është farsa (e cilësuar si minore për shkak të, para së gjithash, të përmasave jolakonike, apo për shkak të “vogëlsisë së vetë dramatike“, siç do të thoshin bashkëkohanikët e Çehovit)[7] që të arrihet ndarja në më shumë akte (qofshin ato akte të shënuara si “pamje“, “skena“ apo edhe diqysh fare, fare ndryshe – si “fraza të ashpra“, ta themi).

    Ndaj dhe, edhe nga shembujt që përdorëm më larë, por edhe nga formati dhe mënyra në të cilën i ka shkruar Milazim Krasniqi komeditë e tija, ne mund të konstatojmë një gjë se: nuk ekziston kritere të ngurtë, të fortë apo edhe formal për përcaktimin e përkatësisë zhanrore të veprave si këto të këtij autori, dhe se atë, pra zhanrin, duhet përcaktuar, mbase, në bazë të disa shenjave të tjera.

    Do të donim që me këtë rast ta përkujtojmë se, poetika mesjetare farsën e ka zbërthyer duke e ulur (zbritur) në një qark relativisht të ngushtë tematik, por ama, asnjëherë, të thuash nga asnjë autor, nuk i është “ndaluar“ që të merret dhe të trajtojë çështje shoqërore, e madje as të aso që i përkisnin moralit familjar. Për këtë është e njohur, në veçanti shkolla farsistike franceze tek e cila dëshmohet se, tek ky lloj i krijimtarisë – mekanizmit të të përmbledhurit të temës në dy tre linja të zhvillimit dramatik, apo edhe të përthyerjes së këndit të të vrojtuarit mbi problemet dhe dukuritë e një shoqërie si dhe me veprimin e sforcuar të përçudnimit të gjërave, përdorimi i të cilave, në të shumtën e rasteve, është e domosdoshme në krijimin e formave të reja – në fakt, është pretenduar që të hiqet zgjyra dhe mjegullat mbi funksionimin e një shoqërie – dhe se, me këtë lloj krijimtarie, në një mënyrë apo tjetrën është “përthekuar një botë e tërë“, shprehitë shoqërore dhe familjare në atë botë, apo edhe ato që mund t’i quajmë me të drejtë si: konstante të një mentaliteti, zakonet e trupit si dhe zakonet e shoqërisë. Dhe, në këtë rrafsh, komeditë e Krasniqit dalin të jenë një model i një periudhe të vështirë dhe aspak të lehtë dhe të qartë në të cilën ka jetuar dhe mbijetuar, disi, shoqëria jonë, qoftë në Kosovë, në Shqipëri apo edhe më gjerë ku jetojnë shqiptarët.

    Ndërsa temat të cilat sot do të mund t’i quanim politike, tema të ndërlidhura ngush me botën e pushtetit, diktaturës dhe dhunës së pushtetshme, që i identifikojmë më lehtë apo edhe më vështirë tek komeditë e M. Krasniqit e posedonin dhe e posedojnë llojin e vetë të shprehjes – paçka se edhe ajo duhet t’i përkas një repertori të teatrit të komedisë, siç ishte rasti edhe në mesjetë, ta themi me shumë moralitet, monologë dramatikë betime të argëtueshme dhe farsë. Të asaj që, ndoshta, Bahtini e quan: kulturë popullore e të qeshurës.[8]

    Ndaj dhe, në bazë të kësaj mund të thuhet se ky lloj i krijimtarisë dramatike, del të jetë i rrezikshëm dhe për këtë edhe pretendohet të kontrollohet më së shumti, apo edhe mënjanohet duke mos e lënë që të vihet në skenë[9], për çfarë mendojmë se, si mekanizëm për t’u “mbrojtur“ ky autor ka përzgjedhur dy mënyra me shpresë së do ta shmang këtë lloj censure që është gjithmonë prezentë tek demokracitë e brishta siç është kjo shqiptare:përmes disa batutave të cilat dëshmojnë se flitet për një kohë dhe për disa rrethana të caktuara politike dhe shoqërore, si dhe përmes krijimit të disa metaforave të përgjithshme të cilat përvijohen nëpër tekst e që në fakt janë paralipsa të cilat zbërthehen më vështirë nga ata që mund të djersinë kur këto komedi, me këto subjekte dhe tema do t’i shihnin në skenë.

    Kjo do të thotë, mendojmë se edhe në vlerësimin e përkatësisë zhanrore të veprave komediografike të Krasniqit, në të cilat ky autor na ka përshkruar në një mënyrë që mund të na pëlqejë apo edhe nuk do të na pëlqejë fare, apo edhe në rrethanat në të cilat ky na futë në mënyrë latente, do të thoshim, të pahetueshme apo edhe stigmatizuese, me ç’rast duhet të kemi parasysh edhe elementet dominuese në këto vepra, e i cili, ngado që ta sillim, del ironizues, satirizues dhe i zhvilluar brenda farsës. Dhe kështu, ky autor, me një sukses të pakontestueshëm, ia del që të krijojë gati-gati disa marrëdhënie paradoksale shoqërore shumë të njohura për ne – para së gjithash duke e dyzuar dinamikën e njohur farsistike me statikën tematike të pritjes të njerëzve të cilët për nga profili i tyre janë sa të zakonshëm, po aq edhe të pazakonshëm (“Puna e Sizifit““Kur lindi partia“, e në veçanti tek “Këmba e Titos nuk shkel më në Kosovë“)

    Definimi i komedisë si imitim

    Një prej mësimeve më elementare që i kemi bërë për ta mësuar për komedinë na mëson se komedia është vepër e cila në vete nuk e përmban tragjiken. Brenda kësaj kuptimësie e kuptojmë se kjo, pra komedia, nuk duhet që brenda vetvetes ta ketë as patetikën, por as karakterin suprem. Komedia, që nga fillet e saja kanë qenë gazmore dhe spirituoze, me pak fjalë krijimtari një si argëtuese, paçka se, sipas Aristotelit, dallimin ndërmjet asaj që konceptojmë si komedi apo edhe tragjedi, nga ana tjetër, e dallon, siç e shënon ai diku, në atë mënyrë sikur, kokrrën e bizeles ta vëmë nga njëri krah i kandarit, nëse ashtu do ta konceptonim ndarjen ndërmjet komikes dhe tragjikes në një vepër, në një krijimtarie, apo edhe tek vetë fati njerëzor[10]. Ndaj dhe, sipas kësaj, e kuptojmë se komedia, në fakt, nuk është ndonjë krijimtari banale në aspektin shpirtëror, por, ajo e posedon një nivel të caktuar vlerave artistike dhe estetike, të cilat, një krijues përpiqet t’i arrijë në atë mënyrë që, konfliktet gazmore i ndërlidh me disa heronj standard duke i vënë në spikamë të metat më të vogla apo më të mëdha të tyre që provokojnë të qeshurat. Në krahasim me tragjedinë, gjithsesi, komedia është disi më reale, ndërsa personazhet e saj janë më jetike, çfarë i gjejmë në gjithë opusin e komedive të Milazim Krasniqit, tek komeditë e të cilit, për dallim nga tragjedia apo dramat me të cilat ka shpërfaqur dije dhe talent, trajtohen ngjarje të zgjidhshme, konflikte të karakterit shoqëror, psikologjik apo edhe politik, apo edhe aso me prejardhje të tillë me çfarë ky krijues zë vend të merituar në thesarin e dramës tonë bashkëkohor.

    Temat, karakteret, veprimi, por edhe gjuha në komeditë e Milazim Krasniqit, pakursyeshëm, janë të kushtëzuara me zakonet, botëkuptimet dhe dukuritë në një shoqëri të caktuar dhe në një kohë të caktuar. Poende, jo rrallë, këto vepra bartin një buqeta mesazhesh të atilla, me të cilat, tendosjet e shkaktuar nga rrethanat komike, zgjidhen në një qëndrim të përgjithshëm ironik ndaj një dyzimesh sjelljeje në shoqërinë tonë, duke vënë në pah dhe goditur vetitë e “gjakimeve” të një soji njerëzish, karshi të të ashtuquajturave ideale apo edhe pasioneve të mëdha, apo karshi jetës dhe botës në përgjithësi e që janë logo,të thuash, e tërë opusit të komedive të këtij autori.

    Nëse do t’i referoheshim me këtë rast asaj që e ka thënë tek “Poetika” Aristoteli[11], atëherë do ta kuptojmë se edhe Krasniqi, në krijimtarinë e tij, komedinë e definon si imitim të karaktereve të ulëta, por ama jo në atë masë për ta vënë në spikamë atë që është e keqe, por më shumë atë që është e shëmtuar në një shoqëri dhe duke mos e pasur në tehun e ideve të tija thjeshtë, krijimin e situatave qesharake.

    Duke i lexuar, rishtazi, komeditë e komediografit tonë, Milazim Krasniqi s’do mend se, qasja e tij për ta krijuar këtë lloj krijimtarie, aspak të lehtë, të thuash, në mënyrë gati të pahetueshme ndërlidhemi me Ciceronin kur thotë se: “Komedia nuk do të ia dilte që në teatër ta shfaq paturpësinë e saj nëse doket në jetë që më parë nuk do ta kishin miratuar të njëjtën paturpësi. Komedia është vetëm imituese e jetës, pasqyrë e dokeve, fotografi e së vërtetës”[12], një doktrinë me të cilën, të thuash në plotninë e sajë shkrihet tërë talenti artistik i Milazim Krasniqit.

    Autori që komiken e konsideroni si lojë intelektuale

    Edhe te ky komediograf, të thuash, e hetojmë atë ndarjen e njohur të komedisë nëpër llojet e saja (shih komeditë: “Kur lindi partia”“Puna e sizifi” apo “Mos më merrni në qafë”), apo më saktë në tre llojet e saja, por, gjithnjë duke e ditur edhe atë se cila është baza e formës së dramës, apo edhe atë se: çfarë është komike në një vepër si këto, apo edhe në teatër, për të arritur kështu tek njëra prej pyetjeve më të vështira që kanë të bëjnë me vetë komedinë që nga fillet e saja e deri më sot se çfarë në fakt është komikja dhe si mund të ndërtohet ajo në një vepër si këto të M. Krasniqit.

    Duke hulumtuar nëpër situatat e shumta dhe galerinë e madhe të karaktereve të komedive të Krasniqit, atëherë, mund ta nxjerrim një si synim të tijin në këtë opus krijues, me mendojmë se ky autor komiken e konsideroni si një lojë intelektuale. Lojë, e cila ka për bazë balancimin dy anëve të papajtueshme të të njëjtës çështje, madje në një pajtueshmëri tepër të fuqishme, por e cila është e papritur, e cila nga ana tjetër, mjeshtërisht u kundërvihet gjykimeve të papajtueshme si dhe të përshtypjeve të ndryshme për të njëjtin objekt. Në fakt, këtu, M. Krasniqi, në veprat e tija, përpiqet që ta instalojë atë rezonimin e ashtuquajtur të miushi, kur macja ia ka frikën shërbëtores, nga njëra anë, ndërsa, nga ana tjetër, shërbëtorja ia ka frikën miushit, e që do të thotë se macja ia ka frikën miushit. Pra është ky rrethi vicioz të cilin, në mënyrë brilante e gjejmë të ngërthyer tek gërsheta e ideve të Krasniqit, në komedinë e tij “Punë sizifi” e sidomos tek “Mos më merrni në qafë”, të dy këto vepra në vetë fillet e këtij autori në rrafshin e lëvrimit të komedisë.

    Këtë qasje të Krasniqit, në krijimin e komedive të tija mund ta zbërthejmë përmes koncepteve të zbërthyera të teorikut të njohur të dramës, francezit Pierre Larthomas[13] i cili, në librin e tij “Le langage dramatique”[14] (Gjuha e dramës) përpiqet që të japë sqarim për atë se çfarë në fakt është komikja me ç’rast insiston se ajo, në fakt është fjala për atë që e shkakton të qeshurën, apo edhe më saktë, ajo e cila, nga njëra anë, është e pazakonshme, absurde, ndërsa, në anën tjetër, normale deri në të pabesueshmen logjike.

    Dhe, duke udhëtuar nëpër këtë rrafsh teorik, mendojmë se, komediografi Milazim Krasniqi, sikur i ka vënë në pah, edhe jashtë rrafshit të thjeshtë dhe të zakonshëm poetik, gjykimet e tija për komedinë, madje në një shkallë të krahasueshmërisë me të gjithë bashkëkohanikët e tij, me ç’rast, sipas një prosedeu të tijin artistik, gjegjësisht mbi atë të kuptuarit e lindjes dhe shkaqet e komikes, e kishte si një pikësynim që, të qeshurën, gjithnjë e më shumë ta shndërrojë në një lloj të krijimtarisë intelektuale, e jo thjeshtë ta ndërtojë si një konstruksion apo edhe diçka që i përket më shumë origjinës fizike, siç ishte dikur në kohën e tortave me krem dhe britmave të llahtarshme nëpër skenë ku nuk e njeh as qeni të zonë. Kur e themi këtë, ne e besojmë se Milazim Krasniqi, si komediograf, e ka të qartë se publiku ka dëshirë që të qeshë me ndonjë ide spirituoze. Se po ai publik ka dëshirë që të sheh ndodhira të argëtueshme skenë, por aso që u ndodhin qenieve normale, siç është edhe ai vetë. E, që do të thotë, publikut mund t’ia zgjojë kureshtjen dhe ta bëjë që të interesohet për një vepër komike, e madje, madje edhe ta shtyj që të mendojë vetëm një vepër e motivuar mirë, brenda një ngjarjeje të njerëzve të zakonshëm, apo edhe të përditshëm të cilët mund t’i identifikojmë nga mjedisi ynë më i ngushtë apo edhe më i gjerë, çfarë, mund t’i e gjejmë të thuash në tërë këtë opus të begatë të komediografit në fjalë, i cili, në komeditë e tija e ka mëse të qartë se lexuesi i dramave të tija, apo edhe shikuesi i shfaqjeve me këto komedi të inskenuara thjeshtë, dëshiron që t’i ndjek të gjitha ato mendime të qarta të cilat e vënë personazhin e veprës në lëvizje, ndërsa në skenë, aktorin në aksion.

    Ky model të cilin na e ofron Milazim Krasniqi me komeditë e tija është, në fakt, një model universal mbi komiken të cilin fare lehtë mund të identifikohet tek këto komedi të botuara në një vëllim të plotë para më pak se një viti. Apo, thënë pak më thjesht, ky autor e di se humori provokon të qeshura jo vetëm nga mosshkathtësia e individit të ndërthurur keq në disa situata në shikim të parë të pandalshme. Apo edhe ato rrethana në të cilat individi ndodhet, kryesisht pa vullnetin e tij, me ç’rast s’ka shumë dije dhe talent për të ikur së andejmi. Por, në të gjitha komeditë e tija, mendojmë se M. Krasniqi na jep prova të qarta se personazhet e tija nuk janë thjeshtë viktima të atyre situatave sa për të krijuar çaste gazmore përmes tyre, porse këto rrethana dalin që, në të njëjtën kohë të jenë edhe humoristike, por mbi të gjitha satirike, si forma dominuese të vetë komikes, edhe pse, këto, dallojnë dukshëm në veçanti në ato raste që determinohet nga lloji i subtilitetit, apo edhe ndjeshmërisë të cilin e zgjojnë objektet e komikes në komeditë e Krasniqit, duke na vënë përball faktit se, akëcila e qeshur estetike në të njëjtën kohë angazhohet për një vlerë, në kontrast kundër një vlere tjetër. Ndërsa, tek komeditë e M. Krasniqit, dallimi nga shumë komediografë të tjerë qëndron në faktin se tek ky krijues, dallueshmëria qëndron tek fakti se, në plan të parë vjen në shprehje ai lloj humori që e ka veçorinë e tij duke qenë më shumë si “afirmativ”, apo siç e njohim edhe ndryshe, si e qeshura e bashkëndjesisë, përderisa, në plan të dytë mbetet e qeshura “kundër” apo ajo që njihet si “ e qeshura negative” ( me të cilën përqeshën të metat më të mëdha apo edhe më të vogla të heronjve të një komedie).

    Ndërsa, për sa i përket dimensionit të dytë të cilin e lexojmë qartë tek veprat e këtij komediografi, atë të satirikes, mund të themi se në tërë këtë opus të komedive të tij, ky element na shfaqet në planin e parë të këtyre veprave me ç’rast, duke na krijuar situata lehtë të identifikueshme dhe aluduese, në fakt, ky autor përpiqet që ta krijoj një ndjesi tjetërfare, pra atë ndjesi e cila nxjerr të ashtuquajturën “te qeshur mohuese” me ç’rast, me një distancë, pa urrejtje, madje pa nevojën që ky autor ta bëjë prokurorin e disave prej personazheve të komedisë që është dukuri mjaft e theksuar tek një mori autorësh të tjerë te ne), ia del që t’i thumboj (jo gozhdojë) dhe t’i përqeshë një galeri të tërë bartësish të dukurive negative në shoqërinë tonë, duke i shpalosur të metat e individëve apo edhe shoqërive (shih te Kur lindi partia”, ta zëmë), përderisa në planin e dytë është shumë qartë e hetueshme ajo e “qeshura afirmative” në favor të virtyteve të njerëzve, në emër të të cilave demaskohen antivlerat.

    Duke besuar se e kemi lexuar qartë opusin e komedive të këtij autori, atëherë mund të konkludojmë se kjo që u tha më lart, është e qeshura e vetë këtij autori, me të cilën, besoj se me simpati bashkëndjenë edhe vetë lexuesi apo edhe shikuesi i këtyre komedive, gjegjësisht pranuesi i kësaj komedie.

    Por, ajo që është mbase e habitshme, të thuash, të gjitha këto komedi të komediografit Milazim Krasniqi u lindën, në një hark kohor prej afro një çerek shekulli, por, në kushte dhe rrethana shumë të vështira për popullin tonë, duke përmbysur kështu ta themi disa teza dhe teori, sipas të cilave, në fakt, komedia lind në akëcilën rrethanë, por zhvillim të mirëfilltë dhe të fuqishëm ka vetëm në kohë mirëqenie.

    Lidhur me këtë, besoj se mund të përdorim në shikim interesant, madje edhe një konkluzion të një teoriku dhe estet tjetër të dramës, Sharl Llallo[15] i cili në librin e tij “Estetika e të qeshurës “ thotë se: “Aristofani krijoi në epokën e Perikleut, Molieri në epokën e Luigjit të XIV-të, dhe se ato ishin vitet e përparimit dhe të mirëqenies në të cilin krijuan edhe Rable, Servantesi apo Svifti[16].

    Por ama, nëse do ta tërhiqnim këtë paralele me krijimtarinë e Milazim Krasniqit, atëherë, mund të thuhet se kulminacioni në krijimtarinë e këtij komediografi, është shkruar në rrethanat dhe kushtet kur mbase , përpos poetëve dhe shkrimtarëve potent të dramës, asnjeri nuk mendon se duhet shkruar komedia. Por, përse ndodh kjo me Milazim Krasniqin? Ne mendojmë se janë të paktën dy arsye, përpos talentit, natyrisht: e para, ngase ky autor, mbase i prirë nga një deklaratë e mëhershme e dramatisti, Ronald Harvud[17] se: “Sikundër në antikitet kur njerëzit kishin nevojë për tragjedinë, apo edhe në shekullin e XIX që kishin nevojë për romanin qytetar, në kohë krizash njerëzit mbase kanë nevojë për komedinë”[18], pra për të qeshur; dhe, e dyta, nga fakti se, komediografi Milazim Krasniqi, talentin e tij për ta krijuar komedinë, edhe brenda konteksteve të angazhimeve të tija të fuqishme politike që i kishte dikur, do të ketë menduar që të krijoj një platformë, ndryshe, publike, që t’i kundërvihet, jo vetëm pushtimit serb, por edhe gjithë asaj zymtësie që e kishte pllakosur Kosovën dhe qytetarët e saj.

    Komikja në veprën e Milazim Krasniqit

    Duke u mbështetur tek kjo që u tha më lartë, dhe nëse e lexojmë me vëmendje tërë opusin e komedive të Milazim Krasniqit, ne mund të konstatojmë se, ky autor e posedon botën e tij të veçantë dhe se, mu brenda kësaj bote ky ia del që t’i gjejë temat, dhe, në to, më pas, t’i travestojë madje edhe ato mite të cilat në mënyrën më të përshtatshme nuk i përkasin asaj bote (“Miti i sizifi”, etj.); një botë e cila materializohet me të folurën dhe në të cilën materie është e folura e cila shndërrohet në një fakt të pavarur, i cili mund të akëceptohet në konkretësinë e vetë dhe, në të njëjtën kohë, të jetë një lloj alibie edhe “për diçka fare tjetër”[19].

    Kjo botë vjen nga përditshmëria jonë, një ambient tipik mesdhetar, do të thoshim, i identifikueshëm për përmbajtje, tipa të karaktereve, mentalitet të veçantë, e madje dhe temperament të njerëzve të këtij nënqielli, e që, në fakt, para nesh shpërfaq një lloj të një geto-tërësie, apo edhe një “mile” në domethëniet dykuptimësore të domethënies së kësaj fjale. Ndërsa, në të nuk jetojnë njerëz abstrakt dhe të konstruktuar nga vetë autori, por, njerëz nga kjo botë e vockël të cilët, nga një gjeneratë në tjetrën kanë jetuar në disa lloj periferish sociale dhe politike e që përpiqen që të krijojnë ndikime relevante në proceset që janë në epiqendër dhe që kanë domethënshmëri më të mëdha për gjithë shoqërinë.

    Nga ana tjetër, komeditë e Krasniqit kanë edhe të ashtuquajturat korniza të vetat, duke u ingranuar në proceset e mëdha politike të cilat po i kalonte fuqishëm shoqëria të cilës i përket vetë autori, duke qenë pjesë konstitutive të atyre marrëdhënieve sociale, pasojat fatkëqija të të cilave shoqëria kosovare, por edhe më gjerë, ajo shqiptare, i ndien edhe sot e tërë ditën. Ndaj dhe besojmë se aktualiteti, në veçanti i veprave të Krasniqit siç është ajo “Kur Lindi Partia”, “Zbulimi” apo “Kush i bie fyellit” e të tjerave, në veçanti mbrapa atyre me prapavijë sarkastike farsistike i sugjerojnë temat e mëdha të cilat janë, dhe, sipas mendimit tonë do të vazhdojnë të jenë ngacmuese dhe të debatueshme në shoqërinë tonë.

    Duke e shqyrtuar gjerësisht opusin komediografik të autorit Milazim Krasniqit, mendojmë se komedia që shkruhet edhe sot, jo vetëm te ne, por gjithandej, i detyrohet formalizmit evropian, e në veçanti atij rus për dy gjëra jo vetëm të mëdha, por kapitale: e para, për çështje të gjetjes së instrumentariumit me të cilin zbulohet fakti letrar dhe artistik i një krijimtarie si dhe, së dyti, teorinë shumë ekzakte të teorisë terminologjike të veprave dramatike, por jo vetëm atyre. Ndaj dhe sot, ne nuk mund të flasim për temat dhe të mendojmë se bëhet fjalë për motivet e një vepre qoftë letrare apo edhe artistike. Gjithashtu nuk mund të themi fabula e në të njëjtën kohë të mendojmë se ka të bëjë me syzheun e një vepre. Gjithashtu, nuk mund të flitet për një personazh dhe të mendohet tek karakteri (që është vetëm një karakteristik e mundshme, por jo edhe kualifikuese e personazhit), sikundër që, edhe dikur, nuk kemi mundur të thuhet për diçka se është metonimi, nëse kishim të bënim me metaforë apo sinekdokë, nëse fjala ka qenë për litotë.

    Ndërsa, arsyeja për atë se çfarë ka të bëjë llojllojshmëria e terminologjisë së formalizmit dhe konciziteti me këtë parashtresë mbi komeditë e Milazim Krasniqit, ka të bëjë me atë se e njëjta është shfrytëzuar prej nesh për ta dëshmuar për të bërë një analizim veprës komediografike të këtij autori shumë të rëndësishëm të dramaturgjisë shqiptare, në veçanti për përshkrimin e veprës së tij, përshkrim i cili ka për qëllim që të dalë nga kornizat e narracionet standarde letrare, të cilat në dramaturgji janë quajtur aristoteliane. Kjo, ngase, në këto vepra e gjejmë se, komeditë e Milazim Krasniqit, kryesish i përkasin kodit jo-tradicional dramatik – fakt ky i cili më së lehti zbulohet në analizën që do të mund t’i bënim kompozicionit të akëcilës prej tyre[20]. Por, për to dëshmojnë edhe marrëdhënia ndërmjet temës dhe motiveve në vepra, por edhe të tregimit dhe syzheut. Këtu vihet re, me sa vijon: temat dhe veprimi janë mjaft të thjeshta, por, për këtë arsye, mendojmë se është për të na mahnitur sasia e motiveve si dhe “radhitja dhe shpërfaqja e tyre” shumë e komplikuar si dhe vargani i informacioneve që bëjnë që bëjnë përshkrimet apo edhe syzheu, sipas teorisë së Tomashenkos[21].

    Në këtë kuadër, mund të thuhet, se edhe në rastin e kësaj krijimtarie të Milazim Krasniqit, tema e përgjithshme, globale, , s’do mend se mund të njësohet m atë që edhe mund ta quajmë materie letrare, e që ka të bëjë me njerëzit e zakonshëm të hapësirës tonë, që jetojnë me problemet e tyre të grumbulluar, brenda një fati njerëzor apo edhe fatlumi kolektiv të cilin, as nuk kanë mundur ta krijojnë krejtësisht vet, e as që munden ta ndryshojnë me dijen dhe forcën e tyre. Nga kjo bazë, nga ky themel, i cili, jo rrallë tregon se një vepër ka prapavijë realiste, gjallëria e cila shërben si verifikim të vërtetësisë së saj, ndahet në disa tersi tematike të cilat, në këtë opus të krijimtarisë të këtij autori, që e kemi trajtuar, mund të fitojnë këto etiketa paradigmatike: pritjet (te “Kush i bie fyellit”), kontroversat historike dhe ideologjike dhe stereotipat (te “Kur lindi partia”), kontroversat e modelimit të një kauze të caktuar (te Puna e Sizifit”“Zbulimi” apo “Mos më merrni në qafë”), e kështu me radhë.

    Dhe, për ta mbyllur, me një përmbledhje të përgjithësuar, duke u mbështetur në llojllojshmërinë e këtyre prosedeve komikë, e që mund të konstatohet në gjithë këtë opus të komedive, mund të thuhet se, Milazim Krasniqi i takon asaj racës së rrallë të shkrimtarëve të dramës që, mbase, origjinën e gjejnë edhe tek “kultura e komikes”, i cili, me veprën e tij, jo vetëm që na bëri dhe na bënë të qeshemi edhe atëherë kur këtë e kishim apo edhe e kemi më së vështiri, por, edhe, na shtyu të mendojmë më thellë se sa që këtë mund ta bëjnë prijës të ndryshëm politik, shoqëror apo edhe shpirtëror. Fundja, cila ishte apo dhe është detyra tjetër e komedisë dje apo sot?! /Telegrafi/

    [1] Krasniqi, Milazim, Vepra, IV, Komedia, “Mos më rri në qafë”, fq. 26

    [2] Mulliqi, Haqif, intervistë me Milazim Krasniqin, “Jeta e re“ Nr 3, 2012, fq. 213

    [3] Jolles, Andre: Jednostavni oblici, Zagreb, 1978,fq. 176–184.

    [4] Mulliqi, Haqif, intervistë me Milazim Krasniqin, “Jeta e re“ Nr 3, 2012, fq. 218

    [5]Krasniqi, Milazim, Vepra, IV, Komedia, “Këmba e Titos nuk shkelë më në Kosovë”, fq. 26

    [6] Krasniqi, Milazim, Vepra, IV, Komedia, “Kur lindi partia”, fq. 290

    [7] Sudb’by žanrov dramaturgii, Moskva, 1979, fq. 109

    [8] Vodič kroz svetsku o domaću dramsku književnost, Mozaik knjiga, 2002, f.87

    [9] Ka vite dhe vite që komeditë e Milazim Krasniqit nuk futen nëpër repertorët e teatrove tona për arsye shumë banale, sa që arsyetimet që janë bërë nga drejtues teatrosh, paraqesin një lloj komedie të veçantë të hutimit, paradoksit dhe të hipokrizisë në shoqërinë tonë.

    [10] Bellinger, Martha Fletcher, Neë York: Henry Holt & Company, 1927. fq. 245

    [11] Madjeli, Paolo, Jovan Hristić, Pozorišni referati, Nolit, Beograd, 1992, fq. 283

    [12] https://news.cornell.edu/stories/2021/03/translation-updates-ciceros-treatise-jokes-weapons

    [13] Pierre Henri Larthomas (1915 – 2000) ishte një teoricien francez i teatrit. Larthomas hyri në ushtrinë franceze në 1930 si oficer kadet dhe në pranverën e vitit 1940 iu dha Croix de Guerre. Menjëherë pas kësaj ai u kap rob dhe i kaloi pesë vitet e ardhshme në P.O.W. kampet. Në atë periudhë ai filloi të shkruante. Pas Luftës së Dytë Botërore ai ishte drejtor shkolle në Lycees në Bordeaux dhe Paris.

    [14] Larthomas, Pierre , Le Langage dramatique, In: Littératures 19, Paris, 1972.

    [15] Lalo, Sarl, “Estetika smeha“, Mala filozofska biblioteka, Beograd, 1977, fq. 223

    [16] Po aty

    [17] Harvud, Ronald, Istorija pozorišta, Clio, Beograd, 1998, fq. 112

    [18] Po aty

    [19] Po aty

    [20] Grant, Neil, Istorija pozorišta, Zavod za Udžbenike Beograd, 2006, fq. 144-145

    [21] Both, R. Michael, Brown, Historia e ilustruar e Theatrit nga Oksfordi, Oxford University Press, fq. 128 e përpiluar nga John Rusell (përkthyer nga Shpresë Mulliqi)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark