Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte vonuar për takimin që u aranzhua të hënën ndërmjet tij dhe emisarëve Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak. Kurti kishte shkuar për ta përcjellë finalen e Kupës së Kosovës në futboll në ndeshjen Prishtina-Gjilani.
Ky veprim ka marrë vëmendjen edhe në Serbi. Koordinatori i Konventës Kombëtare të Bashkimit Evropian për kapitullin e 35-të të Serbisë, Dragisha Mijaçiq, ka thënë se ky është mesazh se Kurti nuk tërhiqet, pavarësisht presionit, përcjell Gazeta Insajderi.
Sipas tij, ky ishte një “dush i ftohtë” për negociatorët.
“(I dërguari i posaçëm i SHBA-së Gabriel) Escobar dha një informacion të ri nga ai takim sot, që i dhanë afat Kurtit dy ditë për të vendosur për kërkesat, pas së cilës ndoshta do të pasojnë veprime konkrete”, deklaroi ai.
Lajçak dhe Escobar i paraqitën kryeministrit Kurtit një propozim prej tre pikash për daljen nga kriza në veri të Kosovës; de-eskalimin e situatës, zgjedhjet e reja në veri dhe rikthimin në dialog për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë. /Insajderi.org/