KOMF alarmon për shkallë të lartë të dhunës ndaj fëmijëve – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    KOMF alarmon për shkallë të lartë të dhunës ndaj fëmijëve

    Insajderi
    15 October 2016 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dhuna fizike dhe psikike në institucionet edukativo-arsimore, mbetet një problem shqetësues për shoqërinë e Kosovës

    Dje në një nga shkollat e Rahovecit është rrahur në mënyrë brutale një vajzë e moshës 16-vjeçare nga vetë xhaxhai i saj.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 567 incidente të ndryshme që kanë ndodhur në shkolla ose në afërsi të objekteve të shkollave në Kosovë.

    Drejtoresha e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, Donjeta Kelmendi,ka thënë se të dhënat tregojnë për shkallë të lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve.

    Duke iu referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ajo thotë se rreth 61% kanë pësuar dhunë

    “Nga 61,4% e fëmijëve që kishin pësuar dhunë, 24% ose afërsisht 1 në çdo 4 fëmijë pohuan se kishin pësuar nga dhuna fizike. Të dhënat tregojnë për shkallë të lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve. Modelet e disiplinimit në Kosovë shpeshherë orientohen drejt dhunës fizike dhe emocionale. Por dhuna ndaj fëmijëve është e pa pranueshme dhe është vepër penale e sanksionuar me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Kelmendi, shkruan “Zeri.info”.

    Gjithashtu organizata KOMF të cilën e përfaqëson Donjeta Kelmendi dënon sulmin ndaj 16 vjeçares nga xhaxhai i saj. KOMF gjithashtu ka kërkuar nga Qendra për Punë Sociale në këtë komunë që shërbimet e nevojshme t’i jepen viktimës.

    “KOMF dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj vajzës në Komunën e Rahovecit dhe kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë të ndërmarrin të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi. Njëherësh KOMF kërkon nga Qendra për Punë Sociale në komunën e Rahovecit, që vajzës t’i ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme për rehabilitim dhe integrim”, thotë Kelmendi.

    Ndërkaq, në lidhje me këtë rast Policia e Kosovës ka ndaluar personin e dyshuar me ç’rast po zhvillohen hetimet.

    Po ashtu, sot në sheshet e kryeqytetit është mbajtur një marsh kundër dhunës së 16-vjeçares nga Rahoveci. Ndër të tjera është paralajmëruar edhe një protestë për të hënën.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark