
Dhunë fizike dhe torturë kanë ushtruar ndaj bashkëmoshatares së tyre disa të mitura në Gjilan.
Për këtë rast ka reaguar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili u shpreh i tronditur dhe i shqetësuar thellë.
“Ky akt i papranueshëm dhune është një alarm serioz për gjithë shoqërinë, familjen si institucion, institucionet e rendit, arsimit dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve”, tha KOMF mes tjerash.
Sipas tyre, “dhuna ndaj të miturës nuk është thjesht një incident, por një dështim i shumëfishtë i gjithë sistemit, në parandalimin dhe adresimin e sjelljeve të rrezikshme që cenojnë dinjitetin dhe integritetin e fëmijëve, por edhe jetën, sigurinë dhe mirëqenien e tyre”.
KOMF tha se kjo ngjarje është e rëndë dhe shqetësuese në disa nivele, pasi siç u tha në reagim, “nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt dhune ndaj fëmijëve, por me një shfaqje të hapur të dhunës që është filmuar dhe shoqëruar me kërcënime dhe tallje, çka e shton traumën për viktimën dhe e bën ngjarjen më alarmuese për shoqërinë”.
“Dhuna vazhdon të gjejë terren mes të rinjve e të rejave dhe vazhdon të normalizohet si sjellje, mes tyre. Sistemi i mbrojtjes së fëmijës, vazhdon të dështojë në ofrimin e shërbimeve dhe programeve prandaluese dhe nuk arrin të identifikojë shenjat e hershme të rrezikut të dhunës dhe ndërhyrjen në kohë. Dhuna me të gjithë elementët e shfaqur në pamjet e publikuara, gjuha e përdorur por edhe ekspozimi publik i videos dhe stigmës që mund të pasojë, mund të rëndojë edhe më tej gjendjen e viktimës dhe rrisë traumën”, u tha në reagimin e KOMF.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve pati disa thirrje:
“Dhuna nuk tolerohet! Ajo nuk është dhe nuk duhet të jetë pjesë e jetës së asnjë fëmije. Çdo rast i tillë duhet trajtuar me urgjencë dhe seriozitet maksimal, për të garantuar mbrojtje dhe parandalim të rasteve të ngjashme në të ardhmen”, tha Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.