Në dhjetor të vitit 2016 komuna e Mitrovicës kishte shpallur ankandi për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër për 15 vite të një prone të paluajtshme në qendër të qytetit për ndërtimin e një objekti garazhues (parking), ku fitues i këtij ankandi ishte shpallur kompania NTP “Tropik” me pronar Ismail Shabani.
Kontrata për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone ishte nënshkruar në shkurt 2017 (kontrata). Prona e dhënë në shfrytëzim ka sipërfaqe prej 1904 m2, ku fituesi i ankandit obligohej të paguan çmimin prej 0.15 euro për m2 në muaj (neni 4 i kontratës)
Sipas vendimit të Kuvendit Komunal dhe kontratës së nënshkruar, ky objekt parashihej të ndërtohej 2 kat nën tokë (2B+P). Por në fillim të vitit 2018 NTP “Tropik” kishte bërë kërkesë që t’i mundësoj ndërtimi i parkingut vetëm një kat nën tokë, me arsyetimin se gjatë gërmimit janë paraqitur rrëshqitje te dheut dhe rrjedhje e ujit. Kjo kërkesë fillimisht ishte refuzuar nga Drejtoria për Urbanizëm, por që disa muaj më vonë ishte miratuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës.
Më pas NTP “Tropik” kishte ndërtuar këtë parking nëntokësor, por që Veriu.info ka gjetur se ai nuk i ka përmbushur detyrimet që i rrjedhin nga kontrata e nënshkruar me komunën e Mitrovicës.
Duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Veriu.info ka kërkuar nga komuna e Mitrovicës qasje në gjithë shkresat e lëndës të këtij procesi, që prej inicimit e deri në nënshkrim të kontratës.
Në nenin 5 të kontratës thuhet se operatori ekonomik fitues NTP “Tropik” obligohet që të ndërtojë objektin ashtu siç është përcaktuar në ofertë. Tutje në nenin 14 të kontratës thuhet: “Pjesë përbërse e kësaj kontrate është oferta e operatorit ekonomik NTP “Tropik”, e përzgjedhur nga ana e Komisionit Vlerësues për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatshkurtër”.
Në ofertën (Planin e Biznesit) e operatorit ekonomik NTP “Tropik” që është pjesë përbërse e kontratës mes tij dhe komunës, kemi gjetur se në pikën 11 të ofertës (Planit të Biznesit) ku përcaktohet Planifikimi i Investimeve, thuhet se ndër të tjera, në pronë e marrë në shfrytëzim do të ndërtohen edhe pjesët përcjellëse, si: pjesa gjelbëruese dhe këndi i lojërave për fëmijë që do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve.
Si shohim në fotot projektuese që gjenden në këtë dokument, pjesa gjelbëruese dhe këndi i lojërave për fëmijë është planifikuar të ndërtohen sipër parkingut, e cila prej ndërtimit të parkingut e deri më sot është vetëm e betonizuar (shih fotot).
Pra, kompania NTP “Tropik” ka shkelur kontratën, duke ndërtuar vetëm parkingun që i sjellë të hyra finaciare, por jo edhe pjesën gjelbëruese dhe këndin e lojërave për fëmijë sipër parkingut (shih fotot)
Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se anëtarë të Kuvendit Komunal janë duke përgatitur iniciativë për të bërë kërkesë që t’i merret NTP “Tropik-ut” kjo pronë, duke u bazuar në nenin 12 të kontratës.