Kompania e mineraleve “Chrom Kosova” përfundon në Prokurori- ortaku zviceran pretendon se u mashtrua nga gjakovari Bashkim Podrimja - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Kompania e mineraleve “Chrom Kosova” përfundon në Prokurori- ortaku zviceran pretendon se u mashtrua nga gjakovari Bashkim Podrimja

    Insajderi
    24 July 2025 - 15:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një investitor nga Zvicra, ka paditur partnerin e tij në Kosovë, për mashtrim, keqpërdorim dhe shitje të paligjshme të aseteve të kompanisë. Sipas kallëzimit penal të paraqitur që e ka siguruar Gazeta Insajderi, zvicerani Pumilia thotë se është dëmtuar me rreth 500 mijë euro. Zvicrani e kosovari, të dy janë themelues dhe aksionarë të dy kompanive që merren me nxjerrje mineralesh. Por Pumilia pretendon se Podrimja, pa dijeninë e tij, ka mbyllur llogaritë bankare, ka shitur makineri dhe pajisje pune të cilat ai vet i kishte sjellë nga Zvicra, dhe ka përdorur këto mjete për përfitime personale. Ai e akuzon gjithashtu se ka kërcënuar punëtorët me SMS në mënyrë që të mos zbulohej se çfarë po ndodhte në kompani. Insajderi sjell detaje, se çka thotë zvicrani Podrimja e gjakovari Bashkim Podrimja.

    Devleta Deda

    Me datën 2 korrik të vitit 2024 , Andreas Pumilia, me nënshtetësi zvicerane, si pronar dhe aksionar i kompanive “Chrom Kosova” Sh.P.K dhe “Chrom Kosova Operation” Sh.P.K, ka paraqitur kallëzim penal ndaj ortakut tjetër të kompanisë me nënshtetësi kosovare, Bashkim Podrimja nga Gjakova, pasi siç pretendon ai e ka mashtruar dhe ka kryer vepra penale.

    Sipas kallëzimit penal, Pumilia ka akuzuar Podrimjën për katër lëndë penale: Veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike; Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike; Tregtia e ndaluar dhe Mashtrim- vepra këto me seriozitet në Kodin Penal.

    Në kallëzimin penal të siguruar nga Insajderi thuhet se “Bashkim Podrimja duke keqpërdorur detyrën dhe duke mashtruar z. Pumilia, është pasuruar në dobi të vetes së tij, mirëpo duke marrë parasysh faktin se në keqpërdorimin dhe mashtrimin që e ka ushtruar, i dyshuari ka shkaktuar humbje të mëdha për kompanitë për të cilat vepronte, përveç dëmit financiar i që i është shkaktuar zotit Pumilia si pronar dhe aksionar kryesor, dëm të madh të vazhdueshëm i është shkaktuar edhe vet kompanive “Chrom Kosova Operation” Sh.P.K dhe “Chrom Kosova” Sh.P.K.”.

    Bashkim Podrimja dhe Andreas Pumilia janë bashkëthemelues e aksionar të kompanisë Chrom Kosova SH.P.K.

    Në kallëzim penal thuhet se Podrimja dhe Pumilia kanë themeluar edhe kompaninë Chrom Kosova Operation SH.P.K, që ka disa licenca për minerale në Komisionin për Miniera dhe Minerale.

    Veprimtaria-aktiviteti kryesor i biznesit Chrom Kosova Operation SHPK, është nxjerrja e xeheve të tjera jo-hekuri, nxjerrja e xeheve të tjera të hekurit, aktivitetet e inxhinierisë dhe të këshillimit teknik.

    Si dhe veprimtaria-aktiviteti kryesor i biznesit Chrom Kosova SH.P.K është nxjerrja e xeheve të tjera jo-hekuri, nxjerrja e xeheve të tjera të hekurit, aktivitetet e inxhinierisë dhe të këshillimit teknik, thuhet në kallëzim penal.

    Tutje në kallëzimin penal të siguruar nga Insajderi thuhet se i dyshuari Bashkim Podrimja ka ndërmarrë disa veprime, pa e informuar drejtorin menaxhues/aksionarin shumicë, duke patur parasysh që i njëjti jeton në Zvicër, duke e dëmtuar atë personalisht, si dhe duke i dëmtuar shoqëritë, e këtë me qëllim të përfitimit personal.

    “Prandaj konsiderojmë se vveprimet inkriminuese të dyshuarit Bashkim Podrimja janë si në vijim: Tjetërsimi i xhirollogarive bankare të “Chrom Kosova Operation” SH.P.K. dhe Statuti i Shoqërisë tregtare “Chrom Kosova” SH.P.K. Edhe pse shoqatat kanë hapur xhirollogaritë bankare në Raiffeisen Bank, i dyshuari në fillim të hapjes së shoqatave pa dijen dhe pëlqimin e të dëmtuarit dhe me qëllime të fshehjes se veprimeve të veta kundërligjore, këto xhirollogari i ka mbyllur, tjetërsuar dhe pala e dëmtuar, Andreas Pumilia nuk ka qasje në të njëjtat”, thuhet në dokument.

    Në kallëzim penal thuhet se vlera e përafërt e dëmit i cili i është shkaktuar të dëmtuarit, Andrea pumillias nga Bashkim Podrimja është rreth 500,000 euro.

    “Përveç dëmeve materiale, me veprimet e kundërligjshme, i dyshuari, ka tentuar të frikësoj dhe me këtë mos ti lejoj qasje të punësuarave nga ana e të dëmtuarit duke ju dërguar sms kërcënuese nga muaj mars dhe maj të vitit 2024, të gjitha këto me qëllim të mos zbulimit të veprimeve të tij”.

    Në këto veprime përmbahen elementet të veprave penale në vijim:

    Më tej thuhet se i dyshuari, “Bashkim Podrimja, ka vepruar kundërligjshëm duke shituar asetet e shoqërive në mënyrë individuale, pa autorizim. I dyshuari, duke qenë aksionar në shoqëritë tregtare, ka pasur qasje në asetet të kompanisë dhe duke e shfrytëzuar mosprezencën e të dëmtuarit Andreas Pumilia, ka shitur mallra pa autorizim, duke vepruar si pronar i tyre.

    Këto asete kanë qenë investime direkte të aksionarit/drejtorit menaxhues Andreas Pumilia i cili këto asete i kishte blerë për nevojat e shoqërive, të cilat i ka sjellë në Kosovë, si rimorkio, makineri, veshje pune, printera, pajisje saldimi, shpërndarës energjie, gardërobë, tavolina, sirtarë, kontejnerë, pajisje zyre, llap topa e tj. duke paguar edhe transportin. Asetet e shoqërive nuk ka mundur të tjetërsohet pa pëlqimin e të dy aksionarëve, por i dyshuari pa pëlqimin e të dëmtuarit, me qëllim të përfitimit personal, ka tjetërsuar-shitur një mori të aseteve, siç janë rimorkio transporti, vegla të punës, llap topa, kontejner etj”.

    Prokuroria nis procedurën, intervistont Podrimjën

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, të cilët e kanë konfirmuar këtë rast.

    Në përgjigjen e tyre thuhet se është intervistuar Bashkim Podrimja.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se pas pranimit të kallëzimit penale të parashtruar nga A.P., nga ana e Prokurorit të Shtetit, janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e provave lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigje duke konfirmuar se “është intervistuar edhe i dyshuari B.P.”.

    Tutje thuhet se është ftuar edhe Andrea Pamilia për intervistim por nuk është paraqitur.

    Po ashtu i dëmtuari (parashtruesi i kallëzimit penale) A.P., përmes avokatit të tij ka parashtruar një deklaratë të tij në gjuhen gjermane në Polici e të përkthyer më pas në gjuhen shqipe, gjithashtu i dëmtuari (parashtruesi i kallëzimit penale), A.P., është ftuar disa herë përmes përfaqësuesve të autorizuar sipas autorizimit, që të intervistohet në polici mirëpo i njëjti nuk është paraqitur“, thuhet në pergjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

    Zvicerani nuk erdhi në Prokurori: Turp si trajtohemi ne investitorët

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me të dëmtuarin në këtë rast, i cili edhe ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Andrea Pumilia, i cili ka thënë se nuk është paraqitur për intervistim pasi Gjykata është dashur ta padiste Bashkim Podrimjën kohë më parë, dhe sipas tij i ka të gjitha faktet e vërtetuara.

    “Arsyetimi për mungesën në gjykatë: Gjykata është dashur ta padiste Bashkimin shumë kohë më parë për shkak të shumë krimeve. Të paktën një herë për rastet që janë fare të qarta. Diçka gjithmonë ka ndodhur kur ka ndërhyrë avokati ynë. Çfarë duhet të themi para gjyqtarit kur të gjitha faktet janë vërtetuar dhe paraqitur, por nuk ndodh asgjë?

    Me tërë mashtrimet që ka bërë, ai do të ishte arrestuar dhe paditur në çdo vend tjetër të botës.

    Është krejtësisht e qartë që gjithçka po shkon keq me prokurorinë, sepse për abuzim bankar, vjedhje, mashtrim, pasurim personal, para të zeza e shumë të tjera, duhet të ketë një dënim sipas fakteve. Nuk ka vend për biseda. Gjithçka është e vërtetuar”.

    Ai është shprehur i zhgënjyer se si po trajtohen investitorët në Kosovë.

    “Është fare e qartë që kjo gjykatë nuk vepron sipas ligjit, por për të mbrojtur bashkëkombasit. Është turp se si trajtohemi ne si investitorë. Nuk ka më asnjë besim në këtë gjykatë/gjyqtar. Vetëm justifikime të përtacëve dhe manovra për alibi. Me këtë sjellje dhe mentalitet, është vetëm çështje kohe kur do të bjerë fatkeqësia mbi Kosovën përsëri“, ka deklaruar për Insajderin Andrea Pumilia.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me Bashkim Podrimja, i cili ka thënë se nuk janë të vërteta, akuzat e Pumilias.

    Që nga Janari i vitit 2023 e deri me sot nuk ka hyrje apo investime në xhirollogarinë Chrom Kosova Operation Shpk. Për të gjitha dokumentacionet tjera jom i gatshëm t’ju informoj.

    Xhirollogaria e CHROM KOSOVA SHPK që nga dita e pare është me qarkullim zero dhe e cila është aktive. CHROM KOSOVA OPERATION ka qarkullime dhe po ashtu kjo është me kapital zero.

    Është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Zoti Pumilja ka këtë borxh te Chrom Kosova operacion shpk. Rrogat që nga January i vitit 2023, kontratat e rrugës, tatime atk, e shumë e shumë të tjera të cilat kalojnë shumën e 180.000€ të gjitha mundem ti dokumentoj”, tha Podrimja.

    Ndërkohë me 10 mars të këtij viti Gjykata Komerciale ka publikuar aktvendim lidhur me këtë çështje.

    “Refuzohet në tërësi si i bazuar propozimi i propozuesve të masës së sigurimit Chrom Kosova shpk, dhe Chrom Kosova Operation, me të cilin kanë kërkuar që të i ndalohet kundërshtarit të sigurimit Bashkim Podrimja”, thuhet tutje në aktvendim.

    Teksti i edituar


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark