
Në prag të një prej reformave më të debatueshme në sektorin e energjisë në Kosovë, daljes së bizneseve në tregun e lirë, një kompani e lidhur ngushtë me zyrën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti po pozicionohet për të përfituar nga një treg milionësh.
Kompania “Management & Development Associates”, e themeluar nga Driton Dalipi, vëllai i Luan Dalipit – krahu i djathtë dhe shefi i kabinetit të Kurtit, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji në Zyrën e Rregullatorit për Energji, vetëm pak ditë para se qindra biznese të detyrohen të blejnë energji jashtë sistemit të tarifave të rregulluara.
Aplikimi i kësaj kompanie ngjall dyshime për përfshirje dhe përfitime nga një “rreth i ngushtë” i lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje dhe strukturat qeveritare, në një periudhë vendimtare për sektorin energjetik.
Kjo ngjarje shton edhe më tej shqetësimet për ndikimin politik në tregun e energjisë dhe për një përqendrim të pushtetit ekonomik në duart e individëve të lidhur me qeverinë.
Ndërkohë, të enjten mbi 1,200 biznese protestuan në Prishtinë kundër vendimit të ZRrE-së. Ata paralajmëruan pasoja të rënda për ekonominë e vendit, përfshirë rritjen e çmimeve të prodhimit, mbylljen e bizneseve, humbjen e vendeve të punës dhe rënien e konkurrencës.
Sipas bizneseve, liberalizimi i tregut të energjisë po bëhet në mënyrë të përshpejtuar dhe të pakoordinuar, pa mbrojtje për konsumatorin industrial, ndërkohë që kompani të reja, si ajo e vëllait të një zyrtari të lartë të qeverisë, përfitojnë nga një situatë e paqartë dhe me potencial për fitime të mëdha.
ZRrE nuk ka komentuar publikisht mbi këtë aplikim, por pritet që shqyrtimi i licencave të bëhet në javët në vijim.
Edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka denoncuar këtë rast publikisht, duke ngritur dyshime për përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në kompaninë që ka aplikuar për licencë për shitje të energjisë.
/Insajderi