Një kompani kosovare nga Mitrovica, që po ashtu ka përfituar tenderë publikë edhe nga institucionet qendrore e ato lokale, dy javë më parë është kapur nga Policia e Kosovës duke shtruar asfalt në vendbanimin “Lugina e Diellit” që është projekt i financuar nga Serbia në Veri të Kosovës. Prokuroria i ka konfirmuar Insajderit që ndaj një personi ka nisur hetimi për veprën penale “ndërtim i paligjshëm’, por kanë refuzuar të tregojnë se kush e kontraktoi.
Visar Duriqi
Më 9 gusht të këtij viti makineri pune ishin parë tek asfaltonin në vendbanimin “Lugina e Diellit”- një projekt i Qeverisë së Republikës së Serbisë në Veri të Kosovës që është kontestuar vazhdimisht ligjshmëria e tij nga autoritetet kosovare.
Punimet do të ndaloheshin nga Policia e Kosovës. Këtë për portalin “Kossev” a pati konfirmuar Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elshani.
I pyetur nga Insajderi ai nuk ka dhënë më shumë detaje, pos që të kërkohet përgjigje nga Njësiti i Krimeve Ekonomike në Prishtinë, e të cilët tuje e kanë udhëzuar Gazetën Insajderi që të kërkoi përgjigje në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Pas disa ditësh pritje, kjo Prokurori i ka konfirmuar Gazetës Insajderi që ky asfaltim në “Luginën e Diellit” ishte punë që u bë jashtëligjshëm, dhe se ndaj një personi madje kanë iniciuar hetime penale.
“Është pranuar informacion nga ana e Policisë së Kosovës për ndërtim – punime pa leje te organit kompetent në lokacionin e lartë cekur, për çka dhe është autorizuar Policia e Kosovës që të hapet rast për një person me iniciale F.C., për veprën penale ‘Ndërtimi pa leje’”, thuhet në përgjigjet e kësaj prokurorie për Insajderin.
Po ashtu, në përgjigje thuhet se për rastin është autorizuar policia të merret në pyetje i dyshuari, dëshmitarët dhe të ndërmerren veprime tjera ligjore nga autoritetet tjera kompetente për mbikëqyrjen e punimeve.
Gazeta Insajderi ka marrë vesh që kompania së cilës iu ndërprenë punimet është “Urban O.P”- e që nuk është mohuar nga Prokuroria se është e njëjta.
Por, as Policia e as Prokuroria nuk janë përgjigjur në pyetjet e Insajderit se kush e kishte kontraktuar firmën “Urban O.P”, aktualisht në pronësi të Ibish e Naim Ceranit, për këtë punë dhe se kush do ti paguante shërbimet e saj.
Gazeta Insajderi për afro dy javë ka pritur përgjigje edhe nga vet kompania në fjalë, duke e kontaktuar përmes postës elektronike dhe numrave që ka pasur në dispozicion, por deri tash nuk ka pranuar asnjë koment nga ta.
Ata nuk janë përgjigjur as edhe nëse kanë kundërshtuar deri tash me ndonjë provë pretendimet e Prokurorisë së ilegalisht ishin duke shtruar asfalt në “Luginën e Diellit”, e as nuk kanë treguar se kush i kontraktoi.
Kontratat me autoritet e Kosovës të firmës që u kap duke shtruar asfalt në lagjen e ndertuar nga Serbia
Kjo firmë, që në platformën “prokurimi i hapur” del që më herët të ketë pasur edhe emrin “N.N.SH. “Urban”, por që me të njëjtin numër identifikues tash del si “Ruban O.P”, ka pasur edhe një ortak. Del që pos Ibish Ceranit, ortak ka qenë edhe Zija Ahmeti.
Në atë kohë, del që ka pasur kontratë me Ministrinë e Infrastrurës.
Ishte pjesë e një grumbulli kompanisë në tenderin për 2 “Mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri ne kuqje në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9”, në vitin 2019.
Një vit më herët mori një tender nga komuna e Lipjanit për asfaltimin e një rruge në Babush, derisa në vitin 2020 del se ka marrë një tender për ndërtimi i infrastrukturës në Lagjen e Re në fshatin Frashër nga Mitrovica.
Kjo kompani ishte pjesë e konzorciumeve edhe në tenderin 30 milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës së udhëhequr nga dyshja Liburn Aliu e Hysen Durmishi, tenderi i shoqëruar me shumë ankesa e dyshime për dallavere për mirëmbajtje të rrugëve rajonale deri në vitin 2025.
“Lugina e Diellit”, projekti që u pa si kolonizim i Serbisë në Kosovë
Në Zveçan, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe që nga viti 2016 janë duke vazhduar punët në ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”.
Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb dhe sipas një raportimi të vitit 2020 të Radio Evropa e Lirë, kostoja është rreth 14 milionë eurove.
Autoritetet e Kosovës e kanë kundërshtuar këtë vendbanim me arsyetimin se i mungon leja e ndërtimit.
Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit për të kthyerit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksiononte në kuadër të sistemit serb.
Sipas kësaj marrëveshje njësitë banesore në “Luginën e Diellit”, me të cilat menaxhon organi i përkohshëm i Komunës së Zveçanit, nuk shiten, por u jepen personave të zhvendosur, me qëllim të zgjidhjes së çështjes së banimit të personave me nevoja sociale dhe të zhvendosur nga Kosova.
Në Serbi, në mars të vitit 2016, tre muaj para fillimit të ndërtimit të vendbanimit për të kthyerit, “Lugina e Diellit, është regjistruar kompania me emër “Lugina e Diellit D.O.O”, gjegjësisht Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar “Lugina e Diellit” në Graçanicë.
Sipas të dhënave që janë të regjistruara në Agjencinë e regjistrave të biznesit në Serbi, “Lugina e Diellit D.O.O” është në pronësi të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe, derisa Drejtor i kompanisë është Slobodan Mihajloviq, i cili është drejtor edhe i projektit “Lugina e Diellit”./ Gazeta Insajderi