Komuna e alarmuar me gjendjen e Prishtinës – kërkon investitorë të rinj – Insajderi
×
  • Sport
  • Sport

    Komuna e alarmuar me gjendjen e Prishtinës – kërkon investitorë të rinj

    Insajderi
    08 June 2016 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj situatës së vështirë që po kalon Klubi i Futbollit Prishtina. Ai ka thënë se mos-licencimi i Prishtinës nga UEFA e ka shtyrë Komunën që të mendojë për ndryshimin e gjendjes aktuale në klub.

    Ahmeti ka thënë se komuna e Prishtinës nuk përfiton asgjë nga stadiumi, pasi sipas tij, stadiumi i qytetit i është kaluar klubit për mirëmbajtje dhe menaxhim të lokaleve në të.

    “Klubi është në pronësi private qe një kohë të gjatë, dhe deri më tani pronarët kanë dhënë donacione për klubin por ato nuk kanë mjaftuar për gjendjen e tanishme të klubit. Kjo është e vërejtshme nga borxhet e klubit”.

    “Klubi ka kontratë me Komunën e Prishtinës për stadiumin e qytetit ku Klubi i merr të gjitha lokalet dhe mirëmbajtjen e stadiumit, dhe nga të hyrat i ndanë 21 për qind për komunën e Prishtinës. Deri më sot nuk kemi marrë ndonjë të hyrë, prapë duke marr parasysh financat e klubit”, ka thënë ai.

    Shpend Ahmeti ka një plan që sipas tij do ta rikthente Prishtinën në krye të futbollit të Kosovës. Ai kërkon që të ndryshohen investitorët, pra të vijnë disa të rinj në mënyrë që të hartohet një strategji e re për klubin.

    “Si palë e interesit, gjatë ditëve në vijim do të kërkojmë raportet e audituara të financave nga Klubi për të vlerësuar gjendjen financiare.

    Në bashkëpunim me pronarët, do të hartojmë një strategji për të ardhmen e klubit e ndoshta edhe per gjetjen e investitorëve të ri për klubin tonë të qytetit, për ta përgatitur për vitet e ardhshme të sfidave brenda dhe jashtë Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

    Madje, Ahmeti tha se do të hapet një debat publik për të biseduar rreth të ardhmes të stadiumit të kryeqytetit.

    “Do të hapim debatin publik për të ardhmen e stadiumit të qytetit, dhe planet për ndërtimin e stadiumit të ri. Kjo është një çështje startegjike e qytetit dhe klubit tonë, dhe ka disa rrugë përpara”, ka thënë Ahmeti.

    Prishtina edhe pse e fitojë trofeun e Kupës së Kosovës nuk ka arritur që të marrë pjesë në garat evropiane, për shkak të mos-licencimit nga UEFA. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark