×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna e Alban Hysenit mban sekret dokumentet e ‘dostave’ që po u përgatit tenderin 15 milionësh për Stadiumin e Gjilanit

    Insajderi
    19 June 2024 - 12:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Gjilanit po akuzohet se i ka kufizuar qasjen në dokumente një kompanie ofertuese për tenderin afro 15 milionësh që u dha për ‘dostat’ e Alban Hysenit të Vetëvendosjes. Kjo komunë kishte shpërblyer me tender afro 15 milionë euro dy biznesmen të akuzuar për mashtrim. Bujar Shabanin, pronar i kompanisë “Bageri” dhe “Kosova Asfalt” dhe Fatlum Pirevën të “El-Bau”. Tender ky që ishte anuluar pas raportimit të Insajderit. Ndërsa tashmë në Gjykatën e Tenderëve, është dorëzuar një ankesë tjetër.

    Gazeta Insajderi

    Në Organin Shqyrtues të Prokurimit, një kompani ka dorëzuar ankesë se Komuna e Gjilanit nuk është duke i ofruar qasjen e kërkuar për dokumentet lidhur me tenderin “renovim i stadiumit të Gjilanit”.

    Sipas ankesës Komuna është arsyetuar se janë dokumente sekrete afariste.

    Në lidhje me pretendimin tonë ankimor, se nuk na është lejuar qasje e plotë në dokumentacion të grupit të OE të rekomanduar për kontratë, autoriteti kontraktues pohon se na është lejuar qasje e pakufizuar, mirëpo ky konstatim i AK-së është i pasaktë dhe i paqëndrueshëm“.

    Tutje aty akuzohet Komuna për deklarata kundërthënëse.

    Autoriteti Kontraktues është kundërthënës, pasi që në njërën anë pohon se është lejuar qasje e plotë në dokumentet që nuk janë sekret afarist, në anën tjetër potencion se i ka lejuar OE ankues që të shikoj me sy disa dokumente që nuk janë sekret afarist“, thuhet në ankesë.

    Po ashtu kjo kompani ka ngritur dyshime se kompania fituese nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara.

    Madje sipas tyre këtij konsorciumit fitues i mungojnë edhe pajisjet e punës.

    Hulumtimi i Insajderit- Anulohet tenderi i dyshuar korruptiv për stadiumin e Gjilanit

    Tenderi për renovimin e Stadiumit të Gjilanit është anuluar me 6 qershor pas hulumtimit të Insajderit lidhur me dyshime korruptive për këtë tender.

    Insajderi raportoi se si kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni vendosi që ta shpërblejë me tender për “renovimin e stadiumit të Gjilanit” grupin e operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë, 14 milionë e 997 euro. Deri tek nënshkrimi i këtij tenderi dyshohet se janë kryer një sërë shkeljesh. Duke filluar nga menaxheri i zyrës së prokurimit i cili mundësoi nënshkrimin e këtij tenderi e deri të pronarët e kompanive të përzgjedhura.

    “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, janë grupi i operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit të Gjilanit, ndërkohë që në garë ishin edhe dy grupe tjera me oferta më të lira.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se Kujtim Bajrami, menaxheri i zyrës së prokurimit ishte personi i vetëm që pranoi ta nënshkruajë këtë tender milionësh.

    Madje, ishte pikërisht mos certifikimi i tij që ndikoi që përzgjedhja të shtyhet, pra derisa ai u certifikua.

    Nga burime të sigurta është mësuar se Kujtim Bajrami është mik i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.

    Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadimut të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.

    Grupi ky me ofertën më të shtrenjtë. Pronarët e këtyre kompanive mësohet se kanë ndërlidhje me njëri-tjetrin.

    Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani janë përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.

    Përpos drejtueseve të klubit të Gjilanit përfitues del të jetë edhe Bujar Shabani, miku i Hysen Durmishit të Vetëvendosjes, si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark