
Komuna e Ferizajt ka njoftuar se dokumentet e arkivuara që janë djegur të hënën nuk janë dokumente të komunës, por të Zyrës për Patentë Shoferë që është në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.
Këtë sqarim komuna e ka dhënë pas një keqkuptimi të lajmit që është publikuar në Gazetën Insajderi duke u bazuar në të dhënat e raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Në raportimin e Insajderit nuk është përmendur askund që dokumentet e djegura janë të komunës së Ferizajt, por incidenti ka ndodhur në komunën e Ferizajt.
Lidhur me këtë incident, Gazeta ka kërkuar sqarim shtesë nga Prokuroria Themelore e Ferizajt pasi që kanë nisur hetimet por deri me tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Ky është sqarimi i plotë i komunës:
SQARIM
Nuk ka djegie të materialit zyrtar në Komunën e Ferizajt, por në zyrën për patentë shoferë të Ministrisë së Infrastrukturës në Ferizaj
Sot në portalin “Insajderi” u publikua një artikull me titull: “Digjet një pjesë e materialit zyrtar të arkivuar në Ferizaj, prokuroria nis hetimet” ku është paraqitur një fotografi e vjetër e Komunës së Ferizajt, me këtë rast, sqarojmë bashkëqytetarët tanë se ky lajm nuk ka të bëj me djegie të dokumentacionit arkivor të Komunës së Ferizajt, por që nga burimet e Policisë së Kosovës në Ferizaj, bëhet e ditur se ky material zyrtar i arkivuar është djegur në Zyrën për Patentë Shoferë, që është në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, pra zyre që as fizikisht nuk gjendet në Komunën e Ferizajt e as nuk është institucion në vartësi të Komunës së Ferizajt, andaj e gjykojmë të drejtë e të duhur këtë sqarim për opinionin publik.