Komuna e udhëhequr nga Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës e ka shpërblyer me tender mijëra euro kompaninë “Bageri” – pavarësisht një aktakuze për falsifikim të kontratave milionëshe – të ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Zyra e Prokurimit në komunën e Ferizajt e ka përzgjedhur për një tender mbi 300 mijë euro, kompaninë “Bageri”.
Kjo e fundit do ta bëjë asfaltimin e rrugëve dhe rregullimin e ujësjellësit në disa nga fshatrat e Ferizajt si: Gaçkë, Gaçkë të Epërme, Topojan, Gërlicë etj, shkruan Gazeta Insajderi.
Kontrata që kap shifrën e 334 mijë e 758,23 eurove është dhënë 29 prill të këtij viti, sipas faqes zyrtare ku publikohen njoftimet për kontratat e fituara.
Por, vetëm tri ditë më herët, më 26 prill, kompania ka pranuar një aktakuzë për mashtrim në prokurimin publik, konfirmon Prokuroria Themelore e Ferizajt për Gazetën Insajderi.
Për çfarë është ngritur aktakuza ndaj “Bagerit”?
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gazeta Insajderi, kishte shkruar ekskluzivisht se si kompania “Bageri” kishte falsifikuar dokumentet e dy gjeodetëve duke i paraqitur sikur punëtorë të tyre për të ftuar tenderë.
Kjo kompani i kishte keqpërdorur të dhënat personale, duke krijuar dy kontrata false me emrat e dy gjeodetëve dhe kishte arritur që të fitojë dy kontrata për asfaltimin e rrugëve.
Një tender e kishte fituar në komunën e Ferizajt me vlerën 2 milionë e 472 mijë euro dhe një në Viti që kapte vlerën e 274 mijë eurove.
Vetëm pesë muaj pas hulumtimit ekskluziv të Gazetës Insajderi ku zbardheshin mashtrimet që kompania kishte bërë me komunat – prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtës.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, lidhur me rastin në fjalë [v.j. shkrimin e Gazetës Insajderi] më 26.04.2022, ka ngritur aktakuzë ndaj një (1) personi, për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për Gazetën Insajderi.
Ky fakt se ka penguar komunën e udhëhequr nga Agim Aliu i PDK-së që ta shpërblejë sërish me tender mijëra euro kompaninë “Bageri”, me bazë në Ferizaj, pronar i së cilës është Bujar Shabani.
“OE “Bujar Shabani” B.I është fitues i aktivitetit të prokurimit me titull: “Asfaltimi i rrugëve Gaçkë, Topojan, Gërlicë dhe Gaçkë e Epërme, Bajram Curri dhe rregullimi i ujësjellësit në Gaçkë dhe Bajram Curri”. Komuna e Ferizajt nuk ka në mandat të saj të kualifikoj dyshimet, dhe për këtë ju njoftojmë se nuk kemi pranuar asnjë vendim të plotfuqishëm gjyqësor, përmes së cilës konstatohen pohimet tuaja apo çfarëdolloj dyshimi lidhur me OE, andaj duke vepruar konform rregullativës ligjore në fuqi që rregullon fushën e prokurimit publik, është shpallur fitues OE i lartcekur”, thuhet në përgjigjen e komunës së Ferizajt për Gazetën Insajderi.
Në tenderin që shumën më të lartë e kishte 528 mijë e 364,50 euro kanë ofertuar 13 tenderues, derisa firma e Bujar Shabanit ka ofruar çmimin më të ulët, atë prej 334 mijë e 758,23 eurove, duke dalë edhe fitues i këtij tenderi.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Shabanin mbi të gjitha këto çështje, por i njëjti ende nuk është përgjigjur.
Faktet e publikuara për falsifikimet me tenderët milionësh mbi të cilët është ngritur aktakuza ndaj “Bagerit”
Violeta Aliu, ishte gjeodetja që kompania “Bageri” dyshohej se ia kishte përdorur dokumentet dhe të dhënat e saj personale për të lidhur kontratë pune pa dijeninë e saj.
Krejt kjo kishte ardhur pasi një nga kriteret në dosjen e tenderit “Zgjerimi i rrugës së fshatin Bibaj, kyqja në autostradë Arbër Xhaferi” ku kishte aplikuar kompania “Bageri”, kërkohej që operatorët ekonomikë të kenë një inxhinier të gjeodezisë të licencuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës AKK me licencë valide.
Gjeodetja Aliu kishte mohuar se ka lidhur kontrate me kompaninë ”Bageri”, shkruante Gazeta Insajderi.
Kështu, kompania “Bageri” duke nënshkruar në emër të gjeodetes Aliu se kinse ka një kontratë valide arrit që ta mashtrojë institucionin e Komunës së Ferizaj, në këtë rast zyrën e Prokurimit Publik.
Për këtë veprim të kompanisë, komuna e Ferizajt përkatësisht zyra e Prokurimit në një përgjigje dhënë Gazetës Insajderi pati treguar se kompania “Bageri” ishte përjashtuar nga tenderi “Zgjerimi i rrugës së fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi”.
Në përgjigje thuhej se përjashtim nga tenderi i kompanisë “Bageri” kishte ardhur pasi gjeodetja Aliu të cilën e kishte prezantuar kjo kompani nuk figuronte në listën e gjeodetëve të licencuar.
“Tek aktiviteti i prokurimit ‘’Zgjerimi i rrugës së fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’’ operatori ekonomik ‘’Bageri‘’ është eliminuar për këtë arsyeje: Gjeodeten të cilën e ka prezentuar znj. Violeta Aliu, pas verifikimit nga ana e komisionit të rivlerësimit në Agjensioninë kadastral të Kosovës është konstatuar se kjo gjeodete nuk figuron në listën e gjeodetve te licencuar, nga kjo del se OE nuk e ka përmbushur kërkesat sipas dosjes se tenderit, dhe është eliminuar nga gara”, thuhej në përgjigjen e zyrës së Pokurimit të komunës së Ferizajt për Gazetën Insajderin.
Derisa Prokuroria Themelore e Ferizajt në një përgjigje për Gazetën Insajderin kishte konfimruar në dhjetor se kishte nisur hetimet ndaj kompanisë “Bageri”.
Atë kohë, pronari i “Bagerit”, Bujar Shabani i kishte mohuar gjetjet, duke i quajtur “të pavërteta”.
“Sa i përket kësaj ne ju njoftojmë se së pari nuk është e vërtetë fare që Aliu ka mohuar të këtë nënshkruar kontratë me kompaninë time. Ne posedojmë një kontratë te nënshkruar nga zonja Aliu me datë 01.03.2019 e cila është valide deri me 31.12.2019 dhe një Aneks Kontrate të nënshkruar me datë 05.03.2019 me te cilën kemi bërë disa ndryshime të disa kushteve të kontratës bazë. Sikur të mos kishim kontratë me Aliu nuk do na duhej të bëjmë as nuk do mundemi të bëjmë Aneks Kontrate”, thuhej në përgjigjen e kompanisë Bageri për Gazetën Insajderin.
I njëjti rast dyshohet se i kishte ndodhur edhe me gjeodetin Blerim Jasharin. Atij i ishin falsifikuar dokumentet personale me ç`rast duke u përdorur të dhënat e tij pa autorizimin, kompania “Bageri” dyshohet se kishte bërë kontratë pa dijeninë e tij.
Duke përdorur këtë kontratë fiktive, “Bageri” ka aplikuar në tenderin e komunës së Vitisë, lidhur me asfaltimi i rrugëve në fshatin Smirë, Kolisht dhe Terpezë.
Se gjeodeti nuk kishte kontrate valide me kompanin “Bageri” dhe se nuk ishte i informuar se si të dhënat e tij kishin rrjedhur te kjo kompani, e kishte konfirmuar edhe Jashari.
Më pas zyra e Prokurimit në Viti e kishte shpallur si të papërgjegjshme ofertën e kompanisë “Bageri”.
Kjo e fundit kishte mohuar se ka bërë falsifikim të dokumenteve të gjeodetit Jashari.
Ndryshe, “Bageri” dyshohet për falsifikim të dokumentit edhe të një makinerie që e kishte futur përmes Doganës së Kosovës
Kompania më15.04.2021 kishte blerë një makineri për shtrirjen e zhavorrit për bankina të rrugëve nga shitësi “Kupinince” doo, me seli në Vranjë dhe se e kishte futur në Kosovës duke falsifikuar dokumente.
Sipas gjetjeve të AVONET kjo makineri nuk kishte markë, dhe numër serik të prodhimit pasi ishte e rregulluar me punë dore, por kompania “Bageri” dyshohej se kishte falsifikuar dokumentet duke e paraqitur me të dhënat valdie për ta futur në Kosovë.
Në të dhënat e falsifikuar nga kompania në fjalë kjo makineri ishte paraqitur në Doganën e Kosovës, si “makinë për shtrirjen e zhavorit për bankina të rrugëve e re viti prodhimit: 2021 e re, ngjyra e verdh, nr serik: S 19/500-GH”./Gazeta Insajderi/