
Qeveria lokale në pushtet në Komunën e Skenderajt ka rikthyer në pozitën e dikurshme personin që është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Fadil Nura pas marrjës së mandatin për katër vitet e ardhshme, ka marrë vendim të jashtëligjshëm për emërimin e Haxhi Bejta në udhëheqje të Zyrës së Prokurimit. Bejta në këtë zyre kishte punuar për disa vite, deri në largimin e tij nga puna nga komisioni disiplinor për shkelje të rëndë të ligjit për shërbyesit civil, në kohën e qeverisjes Jashari. Haxhi Bejta që tri vite nuk është në marrëdhënie punë në Komunën e Skenderajt, pasi që ishte larguar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Pas largimit nga puna Haxhi Bejta ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Ankesa e tij ishte refuzuar duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Diciplinor të Komunës së Skenderajt. Por pas shumë ankesave për çdo muaj, KPMShCK ka aprovuar ankesën e Bejtës.
Gjatë vitit 2015, Bejta ishte shef i prokurorimit në komunë e Skenderajt, por që në të njëjtën kohë në vitin 2015 ka ushtruar edhe detyrën e menaxherit të prokurimit në komunën e Leposaviqit të drejtuar nga Dragan Jabllanoviq.
Publikisht ishte raportuar se në deklarimin e pasurisë të bërë më 25 mars 2016, Haxhi Bejta nuk i ka deklaruar të hyrat nga pagesa për punën që e ka bërë në komunën e Leposaviqit, si menaxher i prokurimit. Ai si të hyra i kishte deklaruar vetëm pagën mujore që merr nga komuna e Skënderajt dhe qiranë nga klientët.
Prokuroria Speciale në Prishtinë në datën 13 shtator 2021 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj 15 të pandehurve, të akuzuar për shkak të veprës penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, ku janë të përfshirë ish kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe Haxhi Bejta.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit në mënyrë aktive kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Në aktakuzë bëhet e ditur se Jabllanoviq akuzohet se me 2 qershor 2015, në mënyrë të kundërligjshme për Drejtor të Prokurorimit në Leposaviq e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta dhe tutje përmes tij dhe personave tjerë që ka punësuar, ka mundësuar që disa biznese private të përfitojnë tenderë me shuma milionëshe në mënyrë të kundërligjshme. Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Bejta akuzohet se me qëllim që t’i eliminoj operatoret tjerë ekonomik, për Kontratën Publike Kornizë “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit” me nr. të Prokurimit 641/1S/002/511, me vlerë të parashikuar prej 2 milion e 400 mijë euro, e ka ndryshuar dosjen e tenderit, ashtu që në versionin në gjuhën shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlerat më të larta, dhe 12 pozicione të tjera i ka përshkruar ndryshe nga dosja në gjuhën serbe, duke ia mundësuar operatorit ekonomik – konzorciumit “Projektuesi” SHPK & NP “Bislimi” SHPK, me drejtorin, kushëririn e tij- të pandehurin Xhemajl Ferizi, të fitoj tenderin dhe më 30 Korrik 2015 ta nënshkruaj këtë kontrate, për periudhën kohore prej 30.07.2015 deri 30.07.2018.
I pandehuri Haxhi Bejta akuzohet se e kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-ë dënohet me gjobë deri në 250.000 Euro dhe me burgim prej së paku 7 vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500.000 Euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290 paragrafi 2 dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.
Përgjigja e Komunës Skënderaj
Por nga Komuna e Skënderajt, në një përgjigje për Gazetën Insajderi kanë thënë se nuk kanë informacion zyrtar për ndonjë aktakuzë për Haxhi Bejtën.
“Kryetari i komunës së Skenderajt ka zbatuar vendimin A.nr. 775/2018 të KPMShCK i cili obligon komunën e Skenderajt që ta rikthejë z.Haxhi Bejta në pozitën udhëheqës i zyrës së prokurimit në Skenderaj sipas aktit të emërimit të vitit 2012”.
“Komuna e Skenderajt nuk ka asnjë informacion zyrtar për ndonjë aktakuzë për z. Bejta sa i përket ushtrimit të detyrës së tij në komunën e Skenderajt”, ka thënë zyrtari për media, Amir Lushtaku.