Një kompani, e cila kishte arritur marrëveshje me komunën e Mitrovicës që të investojë 700 mijë euro në një projekt që do ta realizonte në Zonën Industriale në Mitrovicë, është tërhequr nga investimi.
Kompania holandeze “Green Soil Kosovo – LLC”, ka njoftuar komunën e Mitrovicës se është tërhequr nga investimi prej 700 mijë eurosh në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës, për shkak siç thuhet në njoftim, “të pasigurisë dhe kushteve jo të volitshme, të cilat janë krijuar nga komuna e Mitrovicës”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
“Në planifikimet tona investive ishte ndërtimi i një fabrike për përpunimin e pemëve dhe të perimeve që kryesisht planifikonim t’i grumbullonim në rajonin e Mitrovicës dhe të rrafshit të Dukagjinit, ku pastaj produktet tona do t’ia ofronim tregut vendor dhe pjesën kryesore do t’i eksportonim në pikat tona shitëse dhe përfaqësuese në Evropë”, thuhet në njoftimin për tërheqjen të kësaj kompanie.
Sipas “Green Soil Kosovo-LLC”, investimet e planifikuara kanë qenë fillimisht 700 mijë euro, por me kalimin e kohës do të bëheshin milionëshe.
“Por në ndërkohë jemi ballafaquar me vonesa procedurale, vetëm për ta marrë një përgjigje me shkrim nga zyra e kryetarit të Mitrovicës kemi pritur me ditë të tëra. Investitorët nga Holanda janë irrituar nga përgjigjja joadekuate, e kur ia shtojmë edhe vonesat, atëherë pezmatimi i tyre ka qenë edhe më i madh”, vazhdon më tej njoftimi i kompanisë.
Ndërsa në komunën e Mitrovicës janë arsyetuar se kjo kompani nuk ka aplikuar për leje fare. Ndërkaq nga Partia Demokratike e Kosovës thuhet se investitorët po i përzë kryetari Agim Bahtiri.