Komuna e Obiliqit ia jep tenderin biznesmenit që mbështeti kandidatin e LDK-së për kryetar – 1 milion euro më shtrenjtë se ofertat tjera - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Komuna e Obiliqit ia jep tenderin biznesmenit që mbështeti kandidatin e LDK-së për kryetar – 1 milion euro më shtrenjtë se ofertat tjera

    Insajderi
    20 August 2025 - 15:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Obiliqit ka dhënë një tender në vlerë prej rreth 6 milionë euro për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore. Kjo kontratë i është dhënë kompanisë “ALL ZONE” SH.P.K., ndonëse oferta e saj nuk ishte më e lira në garë. Në këtë procedurë ishin pjesëmarrëse edhe kompani të tjera, të cilat kishin ofertuar deri në 1 milion euro më pak se kompania fituese. Lidhur me tenderin në OSHP ishin dorëzuar ankesa për kriteret e vendosura nga Komuna që udhëhiqet nga Xhafer Gashi i LDK-së.

    Në anën tjetër, kompania që fitoi kontratën ka për drejtor një biznesmen që kishte mbështetur kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, gjatë fushatës zgjedhore.

    Gazeta Insajderi

    Sipas dokumentit të publikuar në e-prokurim në kontratën për shtrirjen e rrjetës së ngrohjes qendrore oferta fituese ishte në vlerë prej 6,893,858.91 euro.

    Në garë për këtë tender kishin ofertuar katër kompani.

    Ndërsa një kompani tjetër kishte ofruar të realizonte të njëjtin projekt për se 5,865,211.19 euro, që është rreth 1 milion euro më pak.

    Megjithatë, Komuna e Obiliqit ka zgjedhur të shpërblejë ofertën më të shtrenjtë.

    Ankesa për diskriminim nga Komuna

    Kur ishte hapur tenderi “Vazhdimi i shtrirjes së rrjetës së ngrohjes qëndrore“, ishin dorëzuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve.

    Një kompani ishte ankuar se Komuna në njoftimin për kontratë ka vendosur kritere diskriminuese.

    Aty thuhet se janë shkelur: Neni 7. Barazia në Trajtim/ Jo- Diskriminimi
    Neni 60. Kriteret e dhënies
    Neni 69. Aftësia teknike dhe/ose profesionale

    Komuna jep një version tjetër

    Gazeta Insajderi, ka kontaktuar edhe me Komunën e Obiliqit, të cilët mohuan çdo ndikim të mundshëm.

    Sipas tyre kompania “All Zone” ishte i vetmi ofertues i përgjegjshëm.

    “Pas një shqyrtimi të thelluar, të bazuar në analizë dokumentare dhe vlerësim teknik sipas Ligjit për Prokurimin Publik, është konstatuar se operatori ekonomik “ALL ZONE” SH.P.K. ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe është vlerësuar si i vetmi ofertues përgjegjshëm në këtë proces. Pavarësisht se një ofertë tjetër ka qenë me çmim më të ulët, ajo është eliminuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve thelbësore, të qarta dhe të panegociueshme, që janë të domosdoshme për realizimin e kontratës sipas standardeve teknike dhe ligjore.

    Çdo vendim është marrë mbi bazën e provave të dokumentuara, në mënyrë të pavarur dhe profesionale. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj ndikimeve politike apo lidhjeve të supozuara me ndonjë subjekt politik. Të gjitha pretendimet që ngrenë dyshime mbi integritetin e procesit janë të pabazuara dhe bien ndesh me realitetin proceduror dhe ligjor“, thuhet në përgjigje.

    Kush është kompania “All Zone”?

    Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë, thuhet se “All Zone” është themeluar në vitin 2008 dhe paraqitet si një kompani udhëheqëse në fushën e ndërtimit dhe ngrohjes qendrore, me seli në Prishtinë, Kosovë.

    Pronar i kësaj firme deri më 2015, tash zyrtarisht veç drejtor i operacioneve në të, Valon Zymberi kishte përkrahur haptazi tashmë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2021-ës.

    Gazeta Insajderi në të kaluarën ka raportuar gjerësisht për Zymberin dhe kompaninë “All Zone”, të përfshirë në projekte milionëshe në Prishtinë.

    Në vitin 2020, pa shpallje publike përmes platformës zyrtare të “e-prokurimit”, kompania “All Zone” përfitoi mbi 4 milionë euro përmes kontratës T-2 për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në kryeqytet.

    Tenderi u realizua përmes bankës gjermane KfW, por në fund, pagesat kryesore u mbuluan nga ndërmarrja publike Termokos, e drejtuar nga zyrtarë të LDK-së. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, Termokosi planifikon të paguajë mbi 7.6 milionë euro për këtë projekt.

    Zymberi, që dikur shfaqej hapur në fushatën zgjedhore të Përparim Ramës, nuk është figurë e re për organet e drejtësisë.

    Në vitin 2012, ai ishte dënuar për mashtrim të Policisë së Kosovës, pasi përmes kompanisë “Idal Solucion” kishte tentuar të shiste një kamion të modifikuar si autoblindë për trazira, me vlerë mbi 200 mijë euro, ndërkohë që mjeti në fakt ishte një kamion transporti të mallrave, të transformuar në mënyrë të paligjshme.

    Rasti u zbulua nga drejtues të lartë të Policisë, përfshirë Shpend Maxhunin dhe Fehmi Gjatën, të cilët e kapën kamionin në një servis në fshatin Mazgit. Pas zbulimit, Zymberi u dënua, por shtatë vite më pas u lirua pas rigjykimit – pa u dhënë ndonjë sqarim publik për këtë vendim.

    Ai në gusht të këtij viti u bë sërish lajm pasi kishte lëshuar deklarata shqetësuese për përdorimin e substancave narkotike, shkruan Insajderi.

    Valon Zymberi, biznesmeni i njohur nga Kosova dhe drejtor i kompanisë së fuqishme “All Zone”, ishte shfaqur në një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok me influencuesin shqiptar Kozak Braçi,

    Gjatë këtij “live”, fillimisht Zymberit i dëgjohet vetëm zëri, por pas komenteve të ndjekësve që identifikuan biznesmenin kosovar, ai del hapur në kamera.

    Në një moment, me krenari deklaron: “E përdori që 25 vite, krejt dhëmbët i kam të miat”, duke iu referuar përdorimit të drogës për një periudhë të gjatë kohore.

    Në një tjetër pjesë të videos, ai dëgjohej duke i thënë Kozakut: “T’i kisha pru 10 gram mall, më të mirin”, ndërsa ky i fundit i përgjigjet me të qeshur se “me shumë qejf do ta pinte me të” dhe se “mbaron pas mallit”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark