Përveç cilësisë së transportit urban që autobusët e rinj të Komunës së Prishtinës pritet t’i japin kryeqytetit, udhëheqësit e komunës presin që këta autobusë ta përmirësojnë edhe cilësinë e ajrit në Prishtinë.
Ajri në kryeqytetin kosovar ka arritur nivel të lartë të ndotjes, duke e bërë Prishtinën njërën prej qyteteve me cilësinë me të dobët të ajrit në rajon.
Kjo situatë ka përplasur edhe Komunën e Prishtinës me Ministrinë e Ambientit. Të dyja këto institucione fajësojnë njëra tjetrën për ndotjen ajrit në kryeqytet.
Të dielën Komuna e Prishtinës u akuza nga Ministria e Ambientit se po lejon makinat e rënda të qarkullojnë gjatë ditës, makina të cilat siç ka thënë përmes një komunikate Ministria e Ambientit, po e ndotin ajrin.
“Komuna e Prishtinës lejon që makinat e rënda të qarkullojnë gjatë ditës nëpër qytet, gjë që është e ndalur, ndërsa nuk po kontrollon as ekonomitë familjare, të cilat ngrohen me thëngjill”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Ambientit.
Mirëpo, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu thotë se për përmirësimin e cilësisë së ajrit, komuna ka bërë një pilot projekt. Mullafazliu i ka thënë Insajderit se cilësia e ajrit do të përmirësohet me futjen në përdorim të autobusëve të rinj në kryeqytet.
“Reformimi i trafikut urban dhe ardhja e autobusëve të rinj, që do të ndihmojnë zvogëlimin e qarkullimit të automjeteve, modernizimi i ndriçimit publik ne kryeqytet, revitalizimi dhe zgjerimi i hapësirave te gjelbra, drunjte e rinj, investimet ne infrastrukture, janë vetëm disa nga gjërat që e kanë vendose Prishtinën në hartën e qyteteve për të luftuar ndryshimet klimatike”, ka thënë Mullafazliu.
Agjencia kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit ka publikuar raporte për cilësinë e ajrit në kryeqytet, në të cilët vlerësohet se gjendja e cilësisë së ajrit ka kaluar vlerat kufitare të ndotjes.
Ndërkaq, sipas Komunës së Prishtinës të gjitha parametrat e cilësisë së ajrit janë brenda vlerave kufitare, përveç dy lagjeve: Dardania dhe Kodra e Trimave. /Insajderi.com