
Komuna e Prishtinës ka lidhur gjashtë kontrata kornizë për sinjalizim vertikal në pjesët urbane dhe rurale të qytetit, por analiza e detajuar e ofertave tregon dallime ekstreme në çmime për artikuj identikë.
Për të njëjtën tabelë, një kompani ka ofertuar trefish më shtrenjtë se një tjetër dhe të dyja janë shpallur fituese në lote të ndryshme. Në disa raste, diferencat arrijnë deri në 1100% për të njëjtën punë, me të njëjtat specifika teknike. Ky konfigurim çmimesh është bërë përmes kontratave kornizë me sasi indikative dhe përzgjedhje përmes “poentimit të çmimit”, një metodë e cila jo rrallë është kritikuar si terren për manipulime dhe favorizime.
Oferta për lot 7, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak të ankesave, kurse Komuna e Prishtinës ka lidhur gjashtë kontrata kornizë për 12 muaj për sinjalizimin vertikal në pjesët urbane dhe rurale të qytetit, por çmimet për të njëjtat pozicione ndryshojnë në mënyrë drastike nga një kontratë në tjetrën. Kompanitë kanë ofertuar çmime që s’kanë shumë logjikë teknike e as tregtare, por duket se janë përshtatur për të kaluar në renditje, e më pas për të përfituar në artikujt me nevojë reale.
Në Lotin 1, për shembull, kompania “Sinjali” sh.p.k. ka ofruar vlerën 1.00 euro për shigjetat orientuese me lartësi 5 metra, ndërsa në Lotin 2, kompania “Select Prima” sh.p.k. për të njëjtin pozicion ka ofruar 11.44 euro, ndërsa në një pozicion tjetër identik e ka çmimin 12.32 euro. Diferenca në këtë rast është 11 herë më e lartë, megjithëse materiali, teknika dhe sasia e punës janë të njëjta.
Po ashtu, për vijat tërthore “STOP”, kompania “Sinjali” ka ofruar 1.00 euro, ndërsa “Select Prima” në kontratën e saj i ka ofruar me çmim 7.04 euro. Edhe për pozicionet si “simbole horizontale tjera” dhe “yellow box”, çmimet e ofruara në Lotin 2 janë dukshëm më të larta se ato në Lotin 1.
Kur një tabelë “STOP” kushton 22 euro në një pjesë të qytetit dhe 130 euro në tjetrën
Në kontratat kornizë të lidhura nga Komuna e Prishtinës për sinjalizimin vertikal në pjesët urbane dhe rurale, gati çdo element është ofertuar me çmime që ndryshojnë ekstremisht, edhe nw lotë tjra edhe pse është fjalë për pozicione identike. Të dhënat tregojnë qartë se për të njëjtin artikull, në kontrata të ndryshme të lidhura nga i njëjti autoritet, diferencat e çmimeve shkojnë deri në 1,200 për qind.
Për shembull, një tabelë standarde “STOP”, e përshkruar si panel gjashtëkëndësh, është ofertuar nga një kompani me 22 euro në Lotin IV, ndërsa një kompani tjetër e ka ofertuar të njëjtin artikull me 130 euro në Lotin V një diferencë prej 108 euro për copë. Edhe tabela të tjera standarde, si ajo e “Kryqit të Andreut”, janë ofertuar me 12 euro në një kontratë, por 80 euro në tjetrën.
Të njëjtat luhatje absurde shihen edhe në pozicione tjera “retrovizorët” janë ofertuar me çmime që shkojnë nga 36 deri në 130 euro, ndërsa një panel katror i thjeshtë nga 9 deri në 130 euro. Nuk bëhet fjalë për prodhime të ndryshme, por për të njëjtat përshkrime, në tenderë të ndarë me kritere identike.
Formula që shpërblen më të shtrenjtin: kur çmimi i ulët penalizohet dhe ai i fryrë shpërblehet
Një nga aspektet më problematike të këtij tenderi lidhet me mënyrën se si është përzgjedhur fituesi – përmes një metode që shpesh favorizon çmime joreale dhe operatorë të caktuar: vlerësimi i ofertave përmes “poentimit të çmimit”. Kjo metodë bazohet në një mashtrim të lejuar nga rregullat: autoriteti kontraktues vendos sasinë “1” për secilin artikull, duke pretenduar se nuk e di paraprakisht se çfarë saktësisht do të blejë. Kështu, oferta më “e lirë” në letër mund të përmbajë çmime minimaliste për artikuj të parëndësishëm, ndërsa çmime të fryra për pozicionet kryesore që në realitet do të porositen.
Në praktikë, kjo formulë e hap rrugën për keqpërdorime të mëdha: nuk është më konkurrenca reale që vendos, por kreativiteti i operatorëve në manipulimin e çmimeve. Kjo sjell pasoja serioze për buxhetin publik – pasi kontrata kornizë i jep të drejtë komunës të porosisë vetëm ato artikuj që i duhen realisht, pra zakonisht ato me çmimet më të fryra.
Në këtë tender, për secilin nga 6 lotët, janë caktuar vlera indikative 50 mijë euro për Lotët I–IV dhe nga 25 mijë euro për Lotët V dhe VI. Sapo këto shuma të arrihen përmes porosive, kontrata ndalet automatikisht. Por gjatë kësaj periudhe, operatorëve iu garantohet që çmimet që kanë ofruar, sado joreale do të jenë të detyrueshme për autoritetin kontraktues. Dhe siç ndodh zakonisht, artikujt me çmim të ulët injorohen, ndërsa shfrytëzohen ato me çmim të fryrë.
Kjo situatë nuk është më çështje e “interpretimit teknik” por një model i deformuar i garës që prodhon kontrata që konsumojnë para publike në mënyrë të papërgjegjshme, shpesh në favor të operatorëve të caktuar.
Çmimet për njësi të secilit lot:
Lot 1: Kompania Sinjali – çmimi për njësi: 21.39 euro
Lot 2: Kompania Select Prima – çmimi për njësi: 29.25 euro
Lot 3: Konsorciumi Traffiks & Rodovan Zogovic – çmimi për njësi: 37.56 euro
Lot 4: Konsorciumi TSR & IDK Konstruktion – çmimi për njësi: 99.40 euro
Lot 5: Kompania RSM Company – çmimi për njësi: 441 euro
Lot 6: Konsorciumi TSR & IKD Construction – çmimi për njësi: 124.40 euro.
Krahasimi i çmimeve për artikujt kryesorë sipas lotëve dhe operatorëve fitues:
Dallimet e çmimeve për artikuj të njëjtë janë shumë të mëdha (p.sh. për vijën gjatësore me ngjyrë të bardhë, çmimet variojnë nga 1.99 € (Sinjali) deri në 1.45 € (Traffiks) dhe nëse krahason me çmimet e tjera për panele sinjalizimi mund të shohim dallime nga 12 € deri në 130 € për copë).
Lotet me çmim total më të lartë për njësi (si Lot 5 dhe Lot 6) janë për materialet më të specializuara si panele sinjalizimi me film EG, me kualitet të lartë, gjë që shpjegon pjesërisht çmimet e larta, por diferencat janë shumë të theksuara edhe brenda këtij segmenti.
Kjo mund të nënkuptojë se tenderi është organizuar në mënyrë që kompanitë të konkurrojnë me çmime shumë të ndryshme për artikuj të ndryshëm dhe çmimet e përgjithshme nuk janë në proporcion me kostot reale, por favorizojnë kompani me ofertë “të spikatur” në disa artikuj. /Demokracia