Komuna e Prishtinës ka mbetur pa mjete transporti për afro një javë, pasi kontrata e qirasë për 76 vetura ka skaduar, duke lënë institucionet lokale pa automjete funksionale. Pavarësisht kërkesave për zgjidhje, Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP) nuk ka ofruar ndonjë sqarim deri tani.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kontrata e lidhur nga AQP për qiradhënien e 76 veturave ka skaduar më 6 dhjetor, duke detyruar Komunën të kthejë të gjitha automjetet.
Ky zhvillim ka krijuar vështirësi të mëdha në operimin e drejtorive, si Inspeksioni dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.
Në kërkesën e saj për zgjidhje, Komuna e Prishtinës ka apeluar te Qeveria e Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia për këtë situatë i takon AQP-së.
“Mosveprimi i AQP-së po pengon rëndë funksionimin e komunave dhe institucioneve publike, duke rrezikuar sigurinë dhe shërbimet për qytetarët e kryeqytetit,” thuhet në njoftim.
Për të mësuar më shumë rreth mundësive për një zgjidhje, Gazeta Insajderi ka pyetur Ministrinë e Financave, e cila e menaxhon AQP-në, por ata i kanë drejtuar pyetjet përkatëse drejt autoritetit përkatës.
“Ju lutem, dërgoni pyetjet te Autoriteti Qendror i Prokurimit,” është përgjigjja e Ministrisë për Insajderin.
Insajderi ka kërkuar gjithashtu një sqarim nga AQP, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ky institucion.
Komuna e Prishtinës ka kërkuar urgjentisht një ndërhyrje nga autoritetet qendrore, duke paralajmëruar se mungesa e mjeteve transporti po vështirëson kryerjen e detyrave dhe përmbushjen e angazhimeve ndaj qytetarëve.
/Insajderi