×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Komuna e Rahovecit shpërblen me tender afro 1 milionë euro kompaninë e bashkëshortit të deputetes së AAK’së

    Insajderi
    17 October 2024 - 14:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania e bashkëshortit të deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK’së, Albana Bytyqit, është shpërblyer me tender afro 1 milionë euro nga komuna e Rahovecit e udhëhequr nga kjo parti. Grupi i operatorëve ekonomik, ku kishte konkurruar kompania e Jetmir Bytyqit, del të jetë me çmimin më të lartë se kompanitë tjera konkurruese. Madje vlera e tenderit edhe është tejkaluar. Insajderi ju sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Rahovecit sot ka dhënë një tender për “Vazhdimin e rregullimit dhe rikonstruktimit të shtratit të Lumit Rimnik në Fortesë”.

    Çmimi i parashikuar për këtë tender ka qenë 847,649.86 euro.

    Ndërkohë që me këtë tender është shpërblyer grupi i operatorëve ekonomik: Capital-Invest Sh.p.k, G Solutions L.L.C.

    Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 955.849.36 euro.

    Për këtë tender ka konkurruar edhe një grup tjetër i operatorëve. Liridoni SH.P.K, EdiBau SH.P.K. Lubizhdë 2000. Vlera e ofertës ishte 834.290.03 euro.

    Mirëpo, komuna e Rahovecit ka shpërblyer operatorë tjerë me kontratë, ani pse çmimi i ofertës ishte më i lartë.

    Njëra kompani fituese, “Capital Invest” e cila është shpërblyer me këtë tender afro 1 milionë euro, është pronësi e bashkëshortit të deputetes së AAK’së, Albana Bytyqit, Jetmir Bytyqi.

    Jetmir Bytyqi, ka hyrë aksionar si pronar i një firme, ndonëse në ARBK nuk figuron në emër të tij.

    Bëhet fjalë për firmën “Capital Invest”, nën logon e cilës i është uruar ditëlindja Bytyqit.

    Foton e kësaj kompanie, bashkëshorti i Albana Bytyqi, e ka të vendosur edhe në kopertinën e profilit të tij në “Facebook”.

    Edhe në punët që kryhen nga kjo kompani, në postimet që bëhen në faqe, urohet Bytyqi.

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, jo rrallë herë paraqitet bashkë me kryetarin e komunës së Rahovecit, Smajl Latifin.

    Deputetja Bytyqi ndan në profilin e saj vizita, e momente të ndryshme politike, krah të parit të Rahovecit.

    “Bashkë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, patëm kënaqësinë që këtë ditë vikendi ta kalonim te shtëpia e kryetarit të degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi. Dëgjuam shumë histori e rrëfime interesante nga babai i tij, baca Naim”, ishte një postim i Bytyqit i bërë në prill të këtij viti. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark