Këshilli i Punëtorëve të Administratës komunale dhe Shëndetësisë në Komunën e Skenderajt ka bërë thirrje për protestë një orëshe para objektit të Komunës së Skenderajt, për të shprehur kundërshtimin e tyre me rastin e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit kundër Sami Lushtaku.
Në një komunikatë për media thuhet se “protesta ka për qëllim kundërshtimin e padrejtësive që po i bëhen Kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku me procese të motivuara politikisht.”.
Gjykata njoftoi të martën se ka zbutur dënimin e Lushtakut për pesë vite pasi që atij i është hequr akuza për vrasje. Bazuar në vendimin e ri, ai është dënuar me shtatë vjet heqje lirie.
“Organizatorët e protestës do t’i bëjnë thirrje Gjykatës Supreme ta zhveshë drejtësinë nga politika,” thuhet në komunikatë.
Protesta do të mbahet para objektit të Komunës së Skenderajt nga ora 08:00 deri në ora 09:00.