Zyra Kombëtare e Auditimi ka gjetur se Komuna e Skenderajt ka angazhuar 16 punonjës shëndetësorë pa konkurs fare, gjatë kohës së pandemisë.
Sipas Auditorit, këta punonjës ishin angazhuar kryesisht për pozita të rregullta të punës, si: specialist i mjekësisë, pediatër dhe staf shëndetësor, shkruan Insajderi.
“Komuna kishte angazhuar 16 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta pa zhvilluar procedura të prokurimit. Nga testimi i katër (4) mostrave, rezulton se këto pozita ishin kryesisht për pozita të rregullta të punës, si: specialist i mjekësisë, pediatër dhe staf shëndetësor”, thuhet në raportin e auditorit.
Sipas Komunës, sistemimi i 16 punonjësve shëndetësorë ka ndodhur për shkak të nevojës gjatë periudhës së pandemisë.
“Një dukuri e tillë sipas menaxherit të personelit ka ndodhur për shkak të nevojës së mëtejme për angazhimin e stafit për realizimin e objektivave shtesë të komunës gjatë periudhës me pandemi”, thuhet më tej.
Ndonëse, sipas nenit 84 të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtar Publik përcakton Marrëveshjet për shërbime të veçanta, lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik ku, sipas paragrafit 4 të ndryshim plotësimit të rregullave për prokurim të shërbimeve të veçanta (konsulent/kontraktorët individual) këto rregulla aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit. Marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik./GazetaInsajderi/