Skulptori Butrint Morina, kishte hequr shumë derisa kishte arritur të krijonte një skulpturë, të cilën e kishte titulluar “Ura Paradox”, e që ishte perfekte për të marrë pjesë në një konkurs nga Komuna e cila ndahet nga një urë, në mënyrë paradoksale.
Por një muaj pas ekspozitës në të cilën fituesi merrte çmimin “Kadri Kadriu” e cila ishte realizuar për nderë të Ditës së Flamurit më 28 nëntor , nën organizimin e drejtorisë për Kulturë në Komunën e Mitrovicës, Morina e ka gjetur krejtësisht të shkatërruar veprën e tij artistike.
“Me datë 20 janar kam shkuar ta tërheqë skulpturat dhe ajo me rëndësishmja ishte bë 20 cope , kishte kaluar një muaj dhe askush nuk më ka njoftuar asgjë”, ka thënë për Insajderin, Butrint Morina.
Përderisa artisti Morina thotë se do të kërkojë përgjegjësi për këtë nga “Shoqata e Artistëve Figurativ” të cilët edhe kanë qenë organizator të kësaj ekspozite, Komuna e Mitrovicës ka dhënë tashmë një shpjegim.
Ka fajësuar një fëmijë për shkatërrimin e “Urës Paradox”.
Sipas një letre që Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë aty ku është ekspozuar vepra e Morinës i ka dërguar artistit dhe Shoqatës së Piktorëve, thuhet se skulptura është shkatërruar me 27 dhjetor 2016 gjatë programit festiv të organizuar nga “Shoqata e Muzicientëve të Mitrovicës”.
“Gjatë këtij programi festiv, një fëmijë i moshës 6 vjeçare u përplas mbi skulpturën e cila gjenden në hollin e Qendrës. Me këtë rast fatkeqësisht skulptura është thyer”, thuhet në letrën informuese të Komunës së Mitrovicës.
Në këtë letër, autoritetet komunale nuk merren me skulpturën por informojnë autorin dhe Shoqatën e Piktorëve për gjendjen shëndetësore të fëmijës.
“Fatbardhësisht fëmija nuk u lëndua, por shumë u frikësu. Ky fëmijë pastaj me shpejtësi ka hyrë në sallë i prekur shpirtërisht. Punëtori Gazmmend Atiqi, punëtor i Qendrës së Kulturës, në raportin e tij shkruan se nuk ka mundur të marrë masa tjera sepse fëmiu ishte shumë i shqetësuar”, thuhet në letrën e autoriteteve komunale në Mitrovicë.
Por artisti thotë se do të kërkojë llogari nga Shoqata që e ka organizuar ekspozitën e cila ka qenë e obliguar që të heq veprat nga hapësira, 10 ditë pas hapjes së ekspozitës.
Vetëm skulptura e Morinës kishte mbetur aty, të tjerat ishin hequr nga aty.
Pikërisht ky fakt, është një prej arsyeve pse Butrint Morina, ka thënë se do të kërkoj kompensim nga “Shoqata e Artistëve Figurativ të Mitrovicës”, për skulpturën e shkatërruar.
Por Morina nuk është optimist se do t’i kompensohet vepra. Në një version të tillë, ai si zgjidhje e sheh Gjykatën. /Insajderi.com