220 nxënësit e shkollës fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës, u janë rikthyer përsëri bankave shkollore pas një javë bojkotimi të procesit mësimor.
Kjo pasi, pa ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit, autoritetet komunale në Malishevë, kanë marrë vendim që mësuesja e matematikës Fatmire Bujupi, ndaj së cilës ishin ankuar prindërit për shkak të mbulesës, të transferohet në shkollën e mesme profesionale ekonomiko-juridike “Lasgush Poradeci” në Malishevë.
“Procesi edukativo-arsimor ka filluar dhe gjithçka është në rregull. Zgjidhja është bërë nga drejtoria e Komunës së Malishevës për arsim, duke e transferuar në një shkollë tjetër”, ka thënë drejtoresha e shkollës Bukurie Krasniqi, për televizionin “Tribuna”.
Sipas saj të gjitha orët e humbura të matematikës do të zëvendësohen në ditët e fundjavës.
Komuna e Malishevës ka thënë se transferimi është bërë në bashkëpunim mes dy shkollave dhe ky ka qenë një vendim i nevojshëm.
Kërkesa e prindërve të nxënësve në shkollën fillore në Drenoc, kishte ngjallur reagime të mëdha në të gjithë Kosovën, duke rihapur edhe njëherë temën e shamisë në shkollat e Kosovës.
Edhe Ipeshkvia e Kosovës kishte dalë në mbrojtje të mësuese Bujupi.
Prindërit kërkojnë heqjen e mësueses shkaku i mbulesës