
Komunat e Kosovës mund të mbeten pa një mbështetje të rëndësishme financiare, duke humbur deri në 12 milionë euro për Skemën e Grantit të Performancës, pas refuzimit të aplikimit të dorëzuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nga Komisioni Evropian.
Sazan Ibrahimi, kryetar i AKK-së, tha se kjo është një humbje e madhe për komunat dhe qytetarët e Kosovës.
Sipas tij ky refuzim është një sinjal i qartë i mungesës së përgatitjes dhe profesionalizmit në nivel qendror.
“Ky është një sinjal shumë shqetësues. Komunat po privohen nga mjete jetike për shkak të mungesës së përgatitjes dhe profesionalizmit në nivel qendror. Refuzimi nga Komisioni Evropian nuk është thjesht një humbje financiare, por edhe një paralajmërim serioz për mënyrën se si qeverisja qendrore po menaxhon raportet me donatorët ndërkombëtarë,” tha Sazan Ibrahimi për Insajderin.
Ai shtoi se AKK ka kërkuar vazhdimisht sqarime nga MAPL lidhur me këtë situatë, por deri më tani nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare.
“Kjo mungesë transparence e lë qeverisjen lokale në terr për një çështje me pasoja të mëdha për komunat,” theksoi Ibrahimi.