
Komuniteti hebre në Kosovë ka shënuar sot dyvjetorin e sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023, duke kujtuar viktimat e vrara nga organizata terroriste Hamas.
Në një aktivitet përkujtimor të mbajtur në heshtje, anëtarët e komunitetit ndezën qirinj në nderim të viktimave. Aktivisti Flori Zevi, përmes një postimi, tha se ky ishte një moment reflektimi dhe kujtese për jetët e pafajshme që u shuan atë ditë.
“Sot u mblodhëm në heshtje dhe me dritë, për të kujtuar viktimat që u vranë nga terroristët e Hamasit më 7 tetor 2023. Ne e mbajmë në zemrat tona veçanërisht familjen Bivas, vuajtjet e së cilës u bënë simbol i kësaj tragjedie. Ne ndezëm qirinjtë si një premtim: nuk do të harrojmë,” shkroi Zevi.
Sulmet e 7 tetorit 2023 shënuan njërën nga ngjarjet më tragjike në konfliktin Izrael–Hamas, ku humbën jetën mbi një mijë civilë izraelitë.