Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme të enjten ku ka kritikuar mediat për siç ka thënë ai krijimin e “lajmeve të rrejshme” dhe ka mohuar lajmet se kampanja e tij kishte kontakte të vazhdueshme me Rusinë.
CNN shkruan se kjo konferencë do të mbahet mend gjatë si një moment shokues në historinë moderne të politikës amerikane.
“Nuk kam parë kurrë media më të pandershme”, ka thënë Trump, duke fajësuar më pas njerëzit që po nxjerrin të dhëna për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë.
Trump megjithatë ka pasur një moment të çuditshëm kur ka thënë se “rrjedhja e lajmeve është e vërtetë, por vet lajmet janë të rreme”.
“Të bëhem i sinqertë, unë kam trashëguar këtu një tollovi të madhe, në vend dhe jashtë është një tollovi e vërtetë”.
Trump është pyetur vazhdimisht nëse stafi i kampanjës së tij ka lidhje me Rusinë apo jo.
“Askush nga njerëzit që unë njoh. Sa herë duhet të përgjigjem në këtë pyetje. Kjo puna me Rusinë është një hile. S’kam asgjë me Rusinë”.
Trump është parë shumë i dëshpëruar nga ajo sesi qeverisja e tij po portretizohet dhe tha se ka vendosur ta marrë situatën në duar.
“Jam këtu ta informoj popullin amerikan për progresin e mahnitshëm që është bërë në këto katër javët e fundit qysh nga inaugurimi”, ka thënë Trump.
“S’mendoj se ka pasur një president tjetër që ka bërë kaq shumë punë për një kohë kaq të shkurtër”./KK