Presidenca e Kosovë ka konfirmuar se presidentja, Vjosa Osmani ka komunikuar me presidentët e shteteve të tjera për kontrollimin e telefonit në aeroporte. “Se kjo procedurë respektohet çdoherë çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologët e saj me të cilët ka biseduar këto ditë”, thuhet në njoftimin që sot ka lëshuar zyra e presidentes, shkruan Insajderi.
Pos tjerash, dhe njëherë është thënë që Osmani nuk ka kërkuar asnjëherë tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare.
Osmani është shprehur e zhgënjyer për mënyrën se si u trajtua dje ky incident në konferencën e përbashkët të kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski.
Është për keqardhje, kanë deklaruar nga presidenca.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Osmani ka thënë se raportet nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë të finalizuara dhe të qasshme, duke aluduar në deklaratën e kryeministrit Kurti dje se po pret që hetimi dhe raporti të sqarojë në plotëni atë që ka ndodhur në Shkup.
“Raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë. Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës”, shkruan Presidenca.
Po ashtu, kritika pati edhe për institucionet e Maqedonisë së Veriut se si e kanë trajtuar këtë rast.
“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”.
Çka tha Kurti për incidentin e Osmani në Shkup?
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se në takimin me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hrijstan Mickoski kanë diskutuar edhe lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kurti ka thënë se presin që hetimi dhe raporti të sqarojë në plotni dhe hollësi incidentin, që një situatë e tillë të mos përsëritet asnjëherë.
“Shqetësimeve tona iu përgjigjën me keqardhje për atë çfarë ka ndodhur. Presim që hetimi dhe raporti të sqarojë në plotni dhe hollësi incidentin, që në të njëjtën kohë të sigurohemi që një situatë e tillë të mos përsëritet asnjëherë. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë të mira, sepse janë të bazuara në vlerat e përbashkëta që ndajmë dhe me synime të qarta për integrim evropian. Shkëmbimet tregtare janë rritur ashtu sikurse edhe eksportet tona në drejtim të Maqedonisë së Veriut”, shkroi ai.
/Insajderi