1.5 ton kanabis e nisur nga Shqipëria është kapur në Bari të Italisë, ndërsa janë vënë në pranga tre shqiptarë, njofton Top Channel.
Pas shtatë orë ndjekje nga policia kufitare dhe Guardia di Finanza nga Kepi i Rodonit deri në Mola da Bari,u kap gomonia me sasinë e drogës. Autoritetet italiane kanë sekuestruar sasinë prej 1550 kg kanabis dhe një armë zjarri pistoletë.
Mjeti lundrues u zbulua rreth orës 20.00 të së premtes në zonën e Ishmit, dhe policia u vu në ndjekje të tij, duke kërkuar ndihmën e Guardia di Finanza.
Në sajë të operacionit të përbashkët, mjeti u ndalua rreth orës 03.00 të së shtunës në Bari. Në pranga janë vënë A.Gj, 34 vjeç, K.M, 26 vjeç dhe G.Xh, 42 vjeç.
Gomonia ishte 9,5 m e gjatë me dy motorra x 350 kf. Në lidhje me këtë rast Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka shkëmbyer në kohë reale informacion me autoritetet policore Italiane.
Ndërkaq, policia e Vlorës dhe Fierit po ndjekin hetimin për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.