Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka pritur në takim sot presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, me të cilin tha se pashmangshëm folën edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.
Konjufca tha se me Nussbaumerin folën për sigurinë dhe rreziqet me të cilat sipas tij, po përballet Kosova si shkak i pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
“Ia shpreha shqetësimin tim presidentit Nussbaumer se po që se Serbia lihet e pandëshkuar në lidhje me agresionin në Banjskë, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar, por me përmasa shumë më të mëdha”, tha Konjufca.
Më tej, ai përmendi faktin që Serbia s’e ka mbështetur sanksionimin e Rusisë për luftën ndaj Ukrainës, ku tha se shteti serb vazhdon të kultivojë bashkëpunim ushtarak me Rusiën.
Serbia duhet të shihet jo vetëm si rrezik në Kosovë, por për krejt stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor. Çdo sfidë që ne e kemi në Ballkanin Perëndimor, rrjedh prej kësaj arsyeje.