Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka vdekur mëngjesin e sotëm, në moshën 88-vjeçare. Për vdekjen e tij ka ngushëlluar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shkruan Insajderi.
Konjfuca ka shkruar se se shqiptarët “mbetën pa ambasadorin më të shquar të tyre”.
“Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme”, shkroi ai.
Ngushëllimi i plotë:
Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.
Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe.
Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve.
Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme.
Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare!
Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij!
Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!