×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca paralajmëroi për një sulm serb, Qalaj: Deklarata populiste në prag të zgjedhjeve

    Insajderi
    03 July 2024 - 19:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Para dy ditësh, kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se ka informacione të sakta se qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.

    Këtë deklaratë e ka kritikuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Rashit Qalaj, duke e cilësuar si një akt populizmi dhe duke akuzuar Konjufcën për përdorimin e këtyre informacioneve për qëllime politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

    “Ju e dini që ne kemi një vit zgjedhor dhe Kosova është në prag të zgjedhjeve, meqenëse afati i rregullt për mbajtjen e zgjedhjeve është brenda 6 muajve. Normalisht, kur ke liderë të institucioneve që janë populistë, ke informata të tilla,” ka thënë Qalaj për RTV Dukagjini.

    Sipas tij, publikimi i këtyre informacioneve mund të shkaktojë panik dhe frikë te popullata.

    “Çdo informatë që ka zoti Glauk Konjufca, por edhe ne të gjithë, duhet t’ia plasojmë institucioneve të sigurisë dhe të mos e torturojmë popullatën me lajme të tilla. Nëse i marrin dhe i publikojnë, është shumë e keqe. Në vend që të dalim me opsione që ta terrorizojmë dhe frikësojmë popullatën e Kosovës, ne ato informata duhet t’i shfrytëzojmë, sidomos institucionet e sigurisë që të përgatiten për situata të tilla,” ka shtuar Qalaj.

    “Edhe në të kaluarën është folur për sulm nga Serbia, jo të tipit të Banjskës. Nëse ka pasur ndonjë informatë për ndonjë sulm terrorist të tillë dhe e kanë ditur institucionet e sigurisë dhe kur kanë thënë që mund të ketë luftë me Serbinë kanë aluduar në këto incidente atëherë ata duhet të përballen me drejtësinë. Për shkak se ato informata është dashur t’i shfrytëzojnë institucionet e sigurisë që të përgatiten që të mos ndodhin situata të tilla,” ka thënë ndër të tjera Qalaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark