
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e lartësuar figurën e tij.
Konjufca ka vizituar familjen Thaçi në Burojë dhe ka nënshkruar në librin e zisë.
Në këtë libër, ai ka shkruar se Haxhi Thaçi ishte një burim i madh frymëzimi për patriotizëm, sidomos për djalin e tij, Hashim Thaçin, që ishte president i Kosovës dhe udhëhoqi shumë procese të rëndësishme në historinë e vendit.
“Të gjithë e kemi njohur si patriot të madh, plak të urtë. E ka ushqyer me patriotizëm familjen e vetë, dhe gjithë këtë pjesë të Drenicës. Mbi të gjitha e ka frymëzuar me patriotizëm djalin e tij Hashim Thaçin që ishte president i Kosovës, dhe bartës i shumë proceseve në të cilat kemi kaluari”.
“Edhe gjatë viteve 90 prej lëvizjes studentore, e deri te në krye të UÇK-së. Bashkë me bashkëveprimtarët e tij, të cilët po e mbrojnë kauzën në Hagë, me bacin Jakup, me Rexhep Selimin, me Kadri Veselin, kanë qenë në krye të UÇK-së, falë të cilës erdhi liria. Kjo nuk do të ndodhte pa inspirimin e frymëzimin që e kemi prej prindërve tanë, ashtu siç Thaçi e ka pasur prej bacit Haxhi”, ka shkruar ai.
Theksojmë se Glauk Konjufca është i pari nga radhët e Vetëvendosjes që ka reaguar publikisht pas vdekjes së Haxhi Thaçit dhe ka shkuar për të shprehur ngushëllimet e tij për familjen Thaçi.