Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim deputetin e Bundestagut Gjerman, Peter Beyer.
Në njoftimin e lëshuar, Konjufca e falënderoi Beyer për vizitën dhe theksoi rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Gjermanisë në mbështetje të Kosovës.
Ai nënvizoi se mbështetja e Gjermanisë është thelbësore për Kosovën dhe shprehu nevojën për thellimin e partneritetit mes dy vendeve përmes bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta.
Gjatë bisedës, u trajtuan çështje të rëndësishme si ekonomia, zhvillimi dhe siguria.
Konjufca e informoi Beyer për zhvillimet aktuale dhe e cilësoi qasjen e Serbisë si një kërcënim për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.